E dërgoi praktikantin në vend të tij, avokati gjobitet me 350 euro nga gjykata
Mbrojtësi i të akuzuarit Dragisha Markoviq, avokati Dejan Vasiq është gjobitur me 350 euro pasi në seancën e kaluar kishte dërguar praktikantin e zyrës së tij, Goran Mitroviq, të përfaqësonte në vend të tij.
Për shkak se avokati Vasiq për përfaqësim në seancën paraprake kishte autorizuar praktikantin e zyrës së tij, Goran Mitroviq, ishte ndërprerë gjykimi për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.
Andaj, në seancën e së enjtes, avokati Vasiq paraprakisht kërkoi falje dhe e pranoi gabimin që ka bërë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“I nderuar gjykatës, unë dje e kam bërë një gabim. Unë kam menduar që vepra penale është e dënueshme deri në 5 vite dhe praktikanti im ka mundur të më zëvendësojë. Por, unë e pranoj që ai nuk ka mundur të më zëvendësojë në seancën e djeshit dhe është ekskluzivisht gabimi im që seanca dje ka dështu. Unë do të pranoj vendimin e gjykatës pa asnjë lloj ankese”, tha Vasiq.
Më pas, gjykatësi i rastit, Valon Kurtaj i shqiptoi gjobë në shumën prej 350 euro.
Po ashtu, trupi gjykues ka shqiptuar vërejtje ndaj mbrojtësit të të akuzuarës Silvana Arsoviq, avokatit Musa Damati, për shkak se i njëjti u paraqit me vonesë në seancë. Avokati Damati vonesën e arsyetoi duke thënë se nuk ishte e qëllimshme dhe se kishte një rast në familje dhe shkaku i trafikut.
Seanca është duke vazhduar.