Dy vite burgim me kusht dhe 5 mijë euro gjobë ndaj ish-zyrtarit të MTI-së
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Xhemajl Sylës, ish-zyrtarit të MTI-së, duke e dënuar me 5 mijë euro gjobë dhe 2 vite burgim me kusht.
Në këtë rast, Syla po akuzohet se si udhëheqës i Divizionit për Mbështetje të Bizneseve dhe Zhvillimeve Regjionale në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, ka keqpërdorur informacione zyrtare me qëllim të përfitimit të përparësisë për kompaninë “Management Development Association”,
Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Syla u shpall të enjten nga kryetarja e trupit gjykues Medie Bytyçi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas këtij aktgjykimi Syla është shpallur fajtor dhe është dënuar me 2 vite burgim me kusht, dënim ky i cili nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës verifikuese prej 5 viteve, si dhe 5 mijë euro gjobë të cilën është i obliguar ta paguajë brenda afatit të caktuar ligjor.
Sipas këtij aktgjykimi, i akuzuari Syla është gjithashtu i obliguar që të paguajë shpenzimet e procedurës penale, në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 150 euro dhe në emër të kompensimit të viktimave shumën prej 50 euro, 15 ditë pas plotfuqishmërisë së këtij vendimi.
Pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh nga dita e marrjes së kopjes së këtij aktgjykimi.
I akuzuari Syla, gjatë muajve korrik, gusht dhe shtator të vitit 2013, i ka dërguar Luan Dalipit, menaxher në kompaninë MDA, dokumente të brendshme të MTI-së dhe informacione lidhur me kushtet dhe kriteret për tender.
Në bazë të këtyre informatave, Dalipi i kishte ndryshuar pastaj kriteret e kontratës për përzgjedhjen e ekspertëve në këtë projekt, duke e përshtatur në atë mënyrë ofertën e kompanisë se tyre për tenderin në fjalë.
Pas kësaj, sipas aktakuzës, Xhemajl Syla, si anëtar i komisionit për vlerësim të ofertave në këtë tender, më 24 shtator 2013 kishte nënshkruar deklaratën e paanshmërisë dhe konfidencialitetit, e cila e obligonte që ta ruajë rreptësisht fshehtësinë në lidhje me çdo informatë të marrë si rezultat i përfshirjes së tij në vlerësimin e ofertave në procesin e prokurimit.
Mirëpo, përkundër kësaj në aktakuzë thuhet se Syla në kundërshtim me deklaratën e nënshkruar, ka dërguar tek Luan Dalipi, informacione në lidhje me vlerësimin dhe poentimin e ofertave në këtë proces të prokurimit, duke e njoftuar për përparësitë e kompanisë MDA krahas kompanive tjera konkurruese në këtë tender.