Dialog Kosovë – Serbi, Greminger: Ballkani nuk është shumë lart në listën e prioriteteve të Trump-it
Ish-diplomati zviceran, Thomas Greminger ka folur për ndikimin që administrata e re amerikane mund ta ketë në procesin e dialogut Kosovë – Serbia.
Ai ka bërë me dije se nuk pret ndonjë ndikim të menjëhershëm.
Në një intervistë për Top Channel, Greminger ka vlerësuar se Ballkani Perëndimor nuk është prioritet i administratës Trump.
“Sipas perceptimit tim, Ballkani Perëndimor nuk është shumë lart në listën e prioriteteve të administratës së re. Kjo mund të shihet edhe si një lajm i mirë, pasi nuk do të ketë presion mbi ta. Nuk pres që Ballkani Perëndimor të jetë në qendër të politikës së jashtme dhe të sigurisë së Trump-it në afatin e shkurtër dhe të mesëm. Nuk pres ndonjë nxitje për konfliktet në rajon, për dialogun Kosovë – Serbi”, ka thënë ai, duke shtuar se deri tani nuk ka parë interesim të kësaj administrate që të merret me Ballkanin.
“Deri tani, nuk kemi dëgjuar shumë nga administrata e re në këtë drejtim. Gjithashtu, duhet parë se kush në ekipin e Trump-it do të merret me Ballkanin Perëndimor. Përveç figurave kryesore rreth Presidentit, një rol të rëndësishëm do të kenë edhe stafi i nivelit të dytë, përfshirë ambasadorët. Do të jetë thelbësore se kush do të dërgohet në Tiranë, pasi kjo do të ndikojë në qasjen e politikës amerikane ndaj rajonit”, është shprehur ai.