Detaje të reja: Haxhiu tregon pse nuk do të mund ta marrin patentë-shoferin ata që dënohen për dhunim - NACIONALE

Detaje të reja: Haxhiu tregon pse nuk do të mund ta marrin patentë-shoferin ata që dënohen për dhunim

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka treguar detaje të reja rreth ndryshimeve në Kodin Penal.

Ajo, në një konferencë për medie, ka thënë se këto ndryshime janë bërë pas shqetësimeve lidhur me rritjen e rasteve të dhunës.

“Ndryshimet që i kemi bërë në Kodin Penal, siç e dini, për shkak të shqetësimeve që kemi me rritjen e rasteve të dhunës në familje e sulmeve seksuale. Qeveria e Kosovës, MD ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për rishikimin e masave ndëshkuese, pasi kemi konsideruar që nuk janë të mjaftueshme masat aktuale,” - tha Haxhiu.

Ajo ofroi detaje të plota për të gjitha ndryshimet që do të bëhen në Kodin Penal.

“Së pari, ne kemi paraparë që gjykata t’ia ndalojë të drejtën e kandidimit në çdo pozitë publike nga 3 deri në10 vjet personit që shpallet fajtor për dhunë në familje apo dhunim. Personat që shpallen fajtorë, nuk kanë me pasë të drejtë të punojnë në sektorin publik në të gjitha nivelet. Ia kemi ndaluar të drejtën e pajisjes me patent-shofer personit që është shpallur fajtor për veprën e dhunimit. Ndalohet leja e shitjes së pronave publike, me çfarëdo shërbimi nga 3 deri në10 vjet dhe ndalimi i aplikimit si investitor strategjik 3 deri në 10 vjet. Kufijtë e zbutjes së dënimeve nuk do të zbatohen në asnjë rast”, tha Haxhiu në konferencë për medie, raporton Nacionale.

“Ne kemi paraparë që për vepra penale të dhunimit, procesi duhet të përfundojë brenda 1 viti prej kohës kur ka nisur hetimi dhe rasti duhet të shqyrtohet me masën e paraburgimit. Kosova nuk ka jetë grash dhe vajzash për të humbur. Nuk është temë private, është temë e sigurisë. Është i domosdoshëm angazhimi maksimal”, deklaroi ministrja e Drejtësisë.

Lajme të ngjashme