Deputetët turq do ta votojnë Qeverinë Kurti 3, konfirmon Fikrim Damka
Kryetari i Partisë Demokratike Turke, Fikrim Damka, ka konfirmuar se dy deputetët e komunitetit turk do të votojnë për formimin e Qeverisë Kurti 3.
Damka tha se ka zhvilluar një takim me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili i ka premtuar postin e zëvendëskryeministrit në qeverinë e re, nëse ajo do të votohet të dielën.
“Pas zgjedhjeve parlamentare në mars e kemi pasur një takim me Kurtin për krijimin e Qeverisë Kurti 3 dhe kemi rënë dakord që të krijojmë Qeverinë. Nuk besoj se gjatë kësaj kohe ka ndryshuar diçka. Në qoftë se do të vjen të dielën të votohet Qeveria Kurti 3 ne si dy deputetë të komunitetit turk do të votojmë, dhe sa më shpejtë të krijohet Qeveria sepse jemi shumë vonë.
Nuk kemi kushte, jemi pjesë e koalicionit në Kurtin 2 kemi marrë pjesë si ministër dhe besoj se do të vazhdojë edhe në Qeverinë Kurti 3. Do të kemi postin e zëvëndëskryeministrit në Qeverinë Kurti 3, ashtu kemi rënë dakord”, deklaroi Damka për RTV21.