Deklaratën e Spajiqit për “destabilizimin” e Malit të Zi, reagon Hoxha: Shqipëria nuk mund të jetë pjesë e një skenari të tillë - NACIONALE

Deklaratën e Spajiqit për “destabilizimin” e Malit të Zi, reagon Hoxha: Shqipëria nuk mund të jetë pjesë e një skenari të tillë

2 orë më parë

nga NACIONALE

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit të Malit të Zi, Milojko Spajiq, se dy vende të rajonit po tentojnë ta destabilizojnë vendin në prag të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Reagimi i Hoxhës vjen pas raportimeve mediatike se njëri prej vendeve të përmendura mund të jetë Shqipëria.

Hoxha ka theksuar se Mali i Zi nuk ka bërë zyrtarisht ndonjë akuzë ndaj Shqipërisë.

Megjithatë, ai ka deklaruar se Tirana nuk mund të jetë pjesë e asnjë skenari destabilizues ndaj Malit të Zi.

“Shqipëria as nuk është dhe as nuk mund të jetë pjesë e ndonjë skenari destabilizues, as në Malin e Zi, një vend fqinj, mik, partner dhe aleat në NATO, me të cilin ndajmë të njëjtin projekt të anëtarësimit në BE, dhe as askund tjetër”, ka shkruar Hoxha në “X”.

Ai ka kërkuar që deklaratat e Spajiqit dhe interpretimet mediatike të trajtohen me kujdes, duke paralajmëruar kundër krijimit të tensioneve të panevojshme mes dy vendeve.

Sipas tij, Shqipëria është e angazhuar në forcimin e bashkëpunimit, stabilitetit dhe zhvillimit të rajonit.

Hoxha ka bërë të ditur se ka qenë në komunikim me zyrtarë të lartë malazezë lidhur me këtë çështje, përfshirë zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq, si dhe zëvendëskryeministrin Nik Gjeloshaj.

“Hamendësimet, interpretimet mediatike apo debatet e brendshme politike të një vendi fqinj nuk mund dhe nuk duhet të prodhojnë artificialisht probleme mes dy vendeve tona”, ka deklaruar ai.

Në fund, Hoxha ka kërkuar që politika e jashtme të mos shndërrohet në pjesë të debateve të brendshme partiake.

“Politika e jashtme kërkon gjithnjë qetësi, maturi dhe përgjegjësi”, ka përfunduar Hoxha.

Lajme të ngjashme