“Dardanët” nuk i harrojnë çlirimtarët: Rikthyen Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin në stadium me një superkoreografi
Tifozeria e Kosovës nuk i ka harruar ish-krerët e UÇK-së as në ndeshjen mbrëmshme historike kundër Turqisë.
Përveç atmosferës elektrizuese në tribuna, tifozëria “Dardanët” janë kujdesur që ta përcjellin edhe një mesazh të fuqishëm përmes një koreografie të veçantë.
Në stadiumin “Fadil Vokrri”, “Dardanët” e shpalosën edhe një baner të madh me mbishkrimin “Victorious”, së bashku me fotografitë e ish-krerëve të UÇK-së, me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, të cilët aktualisht po përballen me një proces gjyqësor në Hagë.
Ky baner qëndroi i hapur gjatë gjatë ndeshjes dhe u shoqërua me brohoritje nga tifozët, duke krijuar një moment emocional dhe simbolik në tribuna.
Sipas tifozëve, koreografia ishte një shprehje e mbështetjes dhe solidaritetit të tyre, duke tërhequr vëmendjen e të pranishmëve në stadium.
“Dardanët” edhe kësaj radhe dëshmuan kreativitetin dhe organizimin e tyre, duke e bërë ndeshjen një ngjarje sportive me mesazhe shumë të fuqishme.