Çitaku: Kosova po izolohet, ndërsa Serbia po thellon bashkëpunimin me ShBA-në - NACIONALE

Çitaku: Kosova po izolohet, ndërsa Serbia po thellon bashkëpunimin me ShBA-në

16 orë më parë

nga NACIONALE

Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Vlora Çitaku, ka kritikuar ashpër politikën e jashtme të Qeverisë, duke kujtuar se vendi po vazhdon të izolohet dhe të dëmtojë marrëdhëniet me aleatët strategjikë, ndërkohë që Serbia po e zgjeron bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një postim, Çitaku ka përmendur marrëveshjen e re për Dialogun Strategjik ndërmjet SHBA-së dhe Serbisë, e cila, sipas saj, përfshin sektorë të rëndësishëm si inteligjenca artificiale, energjia, gazi i lëngshëm amerikan dhe hulumtimet hapësinore.

Ajo ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se kishte refuzuar bashkëpunimin për gazin e lëngshëm amerikan, duke e cilësuar këtë vendim si pasojë të “kryeneçësisë”.

Çitaku ka përmendur gjithashtu publikimin e një raporti kritik për Kosovën, vetëm disa ditë pas vizitës në vend të këshilltarit të posaçëm të presidentit amerikan Donald Trump. Sipas saj, zhvillime të tilla nuk janë rastësi, por rezultat i mënyrës se si është udhëhequr politika e jashtme e Kosovës gjatë viteve të fundit.

“Këto nuk janë rastësi. Janë pasojë e një politike që e ka zëvendësuar diplomacinë me propagandën, partneritetin me arrogancën dhe interesin shtetëror me kultin e liderit”, ka shkruar ajo.

Nënkryetarja e PDK-së ka thënë se Kosova dikur ishte në qendër të vëmendjes së botës demokratike, ndërsa sot, sipas saj, po rrëshqet drejt periferisë së interesimit të qendrave ndërkombëtare të vendimmarrjes.

Lajme të ngjashme