Britania në alarm pasi hakerë të lidhur me Iranin nxorën jashtë funksionit një plant energjetik - NACIONALE

Britania në alarm pasi hakerë të lidhur me Iranin nxorën jashtë funksionit një plant energjetik

3 orë më parë

nga NACIONALE

Kompanitë energjetike në Britani janë vënë në gjendje gatishmërie pas një sulmi kibernetik, për të cilin dyshohet se qëndrojnë hakerë të lidhur me regjimin iranian.

Sipas raportimit të CNN, duke iu referuar “The Sunday Telegraph”, sulmi kishte arritur të nxirrte përkohësisht jashtë funksionit një impiant të vogël të prodhimit të energjisë në Britani gjatë muajit të kaluar.

Objekti energjetik nuk është identifikuar për arsye sigurie.

Si pasojë e ndërhyrjes në sistemet e tij, impianti ishte detyruar të ndërpriste operimin për katër ditë.

Pas incidentit, Departamenti britanik për Sigurinë Energjetike dhe Neutralitetin Klimatik u ka dërguar kompanive të sektorit udhëzime lidhur me masat që duhet të ndërmerren pas sulmit.

Qeveria britanike ka bërë të ditur të dielën se sistemi energjetik i vendit mbetet shumë rezistent ndaj kërcënimeve të tilla, duke theksuar se incidenti nuk kishte paraqitur rrezik për rrjetin më të gjerë energjetik.

Irani prej vitesh është akuzuar për operacione kibernetike kundër infrastrukturës dhe institucioneve shtetërore në vende të ndryshme.

Sulme të lidhura me aktorë iranianë janë përmendur më herët edhe në raste që kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë ose komprometim të të dhënave të ndjeshme qeveritare, përfshirë raste në Turqi më 2015 dhe në Izrael më 2022.

Lajme të ngjashme