Bllokimi i financave, Muharremaj: S'duhet të mbesim peng i një marrëveshje të cilën duhet t’a zbatoj Qeveria
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka bërë të ditur se institucionet e nivelit qendror i kanë njoftuar për bllokimin e qasjeve qasjet për të gjithë zyrtarët financiarë për këtë komunë. Bllokimi do të vazhdojë deri në procedimin e vendimeve gjyqësore/përmbarimore.
“Sot zyrtarisht jemi njoftuar nga institucionet e nivelit qendror, që na kanë bllokuar qasjet për të gjithë zyrtarët financiarë për ne si Komunë e Suharekës, deri sa të procedohen vendimet gjyqësore/përmbarimore.”
Muharremaj ka thënë se kjo ka ndodhur “si pasojë e kontratës kolektive”, ndërsa shtoi se me të njëjtën situatë do të ndodh edhe në komunat tjera “nëse nuk merren masa të menjëhershme”.
“Ky bllokim ka ndodhur si pasojë e kontratës kolektive. Kjo situatë siç është paralajmëruar edhe nga Asociacioni i Komunave, do të vazhdoj edhe në komunat tjera, nëse nuk merren masa të menjëhershme, si pasojë e kontratës kolektive.” – tha ai.
Ai ka kritikuar Qeverinë e Kosovës në lidhje me bllokimin e qasjeve për zyrtarët financiarë të komunës.
“Ne kemi obligime financiare për projektet që i kemi planifikuar, dhe nuk duhet të mbesim peng i një marrëveshje të cilën duhet t’a zbatoj Qeveria e Kosovës, e ku pasojat tashmë po i bartim ne si komuna. Për këtë situatë, duhet të veproj urgjentisht edhe Kuvendi i Republikës së Kosovës ngase situata e vështirë financiare do të rëndohet edhe më shumë.” – tha Muharremaj.