Bislimi: 90% e konsumit vjetor në katër komunat veriore ka qenë rezultat i aktiviteteve të paligjshme të kontrabandës - NACIONALE

Bislimi: 90% e konsumit vjetor në katër komunat veriore ka qenë rezultat i aktiviteteve të paligjshme të kontrabandës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka zhvilluar një intervistë për të përditshmen serbe "Danas,".

Intervistën e tij, zëvendëskryeministri Bislimi e shfrytëzoi si një mundësi për të shpjeguar situatën aktuale dhe theksuar rëndësinë e zbatimit të ligjit në veri të vendit.

Mes tjerash, "Danas" e pyeti Bislimin edhe për "ndalimin e kontrabandës së mallrave dhe barnave" në veri të Kosovës nën argumentin se ky ndalim mund të ketë pasoja negative për komunitetin serb në këtë zonë.

Në këtë pikë, Zëvendëskryeministri Bislimi u përgjigj me të dhëna, duke thënë se shifrat zyrtare tregojnë se rreth 90 për qind e konsumit vjetor në katër komunat veriore të Kosovës ka qenë rezultat i aktiviteteve të paligjshme të kontrabandës.

Ai theksoi se asnjë komunitet nuk duhet të mbështetet në aktivitetet e paligjshme të kontrabandës për mallra thelbësore.

“Nëse i referoheni statistikave zyrtare për importin e mallrave për nevoja të qytetarëve të Kosovës në katër komunat veriore në dekadën e fundit, do të konstatoni se gati 90% e konsumit vjetor ka qenë rezultat i aktiviteteve të paligjshme të kontrabandës. Asnjë komunitet nuk duhet të mbështetet në kontrabandën për mallra thelbësore. Korniza ligjore e Kosovës lejon importin legal të të gjitha mallrave si dhe financave nga Serbia. Këmbëngulja për t’u mbështetur në instrumentet zyrtare dhe ligjore për tregtinë ndërshtetërore janë përbërësit bazë të një demokracie funksionale, sundimit të ligjit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, prandaj çdo përdorim i termave të tillë si “kamp”, “peng”, “Përshkallëzimi i dhunës” është e pavend dhe e keqpërdorur vetëm për të paraqitur një pasqyrë të shtrembëruar të realitetit në terren. Pavarësisht asaj që Serbia synon të projektojë, qytetarët lëvizin lirshëm nga veriu në jug të Mitrovicës, ata madje bëjnë tregti me njëri-tjetrin dhe blejnë mallrat e njëri-tjetrit. Pra, si duhet ta shpjegojmë furnizimin e rregullt të çfarëdolloj malli dhe ilaçesh në një komunë dhe “kërcënimet për ekzistencën” vetëm disa qindra metra tutje në veri?” – deklaroi Bislmi.

Lajme të ngjashme