BE: Kosova ka të drejtë t’i japë fund përdorimit të targave KM - NACIONALE

BE: Kosova ka të drejtë t’i japë fund përdorimit të targave KM

3 vjet më parë

nga Lirim Krasniqi

Bashkimi Evropian e ka mirëpritur zbatimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për dokumentet për hyrje/dalje.

Kjo marrëveshje mes dy vendeve është arritur nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian më 27 gusht.

“Ky është hap pozitiv, i cili do të lehtësojë lirinë e lëvizjes dhe një zgjidhje evropiane”, është thënë mes tjerash në reagimin e Bashkimit Evropian.

Më 1 shtator ka nisur procesi i riregjistrimit të makinave me targat që lëshohen nga Serbia, me akronime të Kosovës, sikurse KM, PZ e të ngjashme.

Prishtina i konsideron ilegale këto targa dhe ka thënë se me procesin e riregjistrimit, qytetarët në veri do të përfitojnë lehtësira të tjera tatimore, që mund të arrijnë vlerën e 5.000 eurove, shkruan REL.

BE-ja ka kërkuar që Kosova të ofrojë kohë të mjaftueshme për riregjistrim.

Blloku evropian ka thënë se Kosova ka të drejtë t’i japë fund përdorimit të këtyre targave, por nuk ka përmendur targat RKS.

“Qëndrimi i BE-së për çështjen e targave është bërë i qartë në disa raste. Sipas marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut më 2011 dhe 2016 për lirinë e lëvizjes, Kosova ka të drejtë t’i japë fund përdorimit të targave KM. Megjithatë, është me rëndësi që të jepet kohë e mjaftueshme për zbatimin e këtij plani dhe që ai të përgatitet e zbatohet në konsultim të ngushtë me qytetarët për të cilët vlejnë, në përputhje me praktikat e mira evropiane”.

Diplomatët në BE besojnë se fokusi tani duhet të jetë në zgjidhjen e çështjes së targave, zbatimin e marrëveshjeve të arritura më parë në dialog dhe në arritjen e marrëveshjes për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve.

Lajme të ngjashme