AUV u kërkon fermerëve masa të shtuara kundër Mortajës Afrikane të Derrave
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë u ka bërë thirrje fermerëve që mbarështojnë derra të forcojnë masat e biosigurisë, pas konfirmimit të rasteve të Mortajës Afrikane të Derrave në vendet e rajonit.
Në Kosovë deri tani nuk është regjistruar asnjë rast, por AUV vlerëson se rreziku i përhapjes mbetet i lartë. Fermerët këshillohen të mos përdorin mbetje ushqimore, të blejnë kafshë vetëm nga ferma të regjistruara dhe të raportojnë menjëherë ngordhjet e papritura ose shenjat e pazakonshme te veterineri.
Sëmundja nuk transmetohet te njerëzit, por është shumë ngjitëse për derrat dhe mund të shkaktojë dëme të mëdha ekonomike. AUV njofton se po monitoron vazhdimisht situatën epidemiologjike.