LVV: Marrëveshje me LDK-në po, Vjosa Osmani presidente jo
Lëvizja Vetëvendosje ia ka dhënë dhe thënë "jo-në" përfundimtare Vjosa Osmanit për presidente. Por, "po" marrëveshjes me LDK-në.
Dy deputetët e zgjedhur të kësaj partie këtë të martë, ia dhanë edhe një “jo” Vjosa Osmanit për këtë post. Sipas deklaratavetë tyre del se emri i presidentit duhet të jetë rezultat i konsensusit ndërmjet forcave politike dhe jo domosdoshmërisht një figurë nga skena aktuale politike.
Deputetja e zgjedhur e LVV-së, Arbërie Nagavci, ka theksuar se Vjosa Osmani nuk mund të konsiderohet një kandidate konsensuale, duke argumentuar se vetë koncepti i një kandidati konsensual nënkupton një figurë që nuk vjen nga politika aktive.
Sipas saj, zgjedhjet e fundit parlamentare kanë reflektuar tashmë vullnetin e qytetarëve për aktorët politikë që kanë qenë pjesë e garës, prandaj ky vullnet duhet të respektohet krahas përgjegjësive që partitë kanë marrë nga elektorati.
Nagavci tha se zhvillimet e fundit politike kanë treguar se nuk ekziston unitet mes partive për emrin e Vjosa Osmanit, çka, sipas saj, e bën të domosdoshëm vazhdimin e diskutimeve për të gjetur një kandidat apo kandidate që do të gëzonte mbështetje më të gjerë.
Ajo u shpreh e bindur se Kosova ka figura të denja për pozitën e presidentit, duke lënë të kuptohet se ende ka hapësirë për negociata dhe për një zgjidhje që do të ishte e pranueshme për spektrin politik.
Në të njëjtën linjë është shprehur edhe deputeti i zgjedhur i LVV-së, Vigan Qorrolli, i cili tha se synimi i partisë është arritja e një marrëveshjeje politike me Lidhjen Demokratike të Kosovës për formimin e institucioneve të reja, përfshirë edhe zgjedhjen e presidentit.
Qorrolli deklaroi se LVV-ja është në pritje që LDK-ja të përmbyllë proceset e saj të brendshme, në mënyrë që të rifillojnë bisedimet për një marrëveshje gjithëpërfshirëse.
Ai tha se marrëveshja politike do të duhej të përfshinte zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, rikonfirmimin e Albin Kurtit në postin e kryeministrit dhe më pas zgjedhjen e presidentit, duke i dhënë Kosovës institucione.
Deputeti i LVV-së bëri të ditur se seanca konstituive e Kuvendit pritet të thirret jo më vonë se më 5 gusht, ndërsa afati i fundit kushtetues mbetet 7 gushti.
Sipas tij, kjo periudhë do të shërbejë edhe për vazhdimin e përpjekjeve për arritjen e një konsensusi politik.
Sa i përket postit të presidentit, Qorrolli tha se, nëse nuk arrihet pajtim për një emër të veçantë që do të mbështetej nga të gjitha partitë, atëherë, sipas vlerësimit të LVV-së, presidenti duhet të jetë një figurë jopartiake dhe mbi ndarjet politike.
Ai paralajmëroi se mungesa e një kompromisi mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Ndërkohë, Vjosa Osmani mori pjesë në takimin që kreu i LDK-së pati me kreun e LVV-së, Albin Kurti. Duhet theksuar se Osmani nuk është zyrtarisht pjesë e LDK-së, dhe se nuk e ka sqaruar rolin e saj në takim, së bashku me Kurtin e Abdixhikun.