Tri aksidente të rënda u marrin jetën 6 kosovarëve brenda pak ditësh - NACIONALE

Tri aksidente të rënda u marrin jetën 6 kosovarëve brenda pak ditësh

5 orë më parë

nga NACIONALE

Tri aksidente të rënda brenda tri ditësh u morën jetën gjashtë personave nga Kosova.

Tre persona nga Vushtrria vdiqën para dy netësh, derisa po ktheheshin nga Shkupi për në Prishtinë. Ata u aksidentuan pak para se të hynin në territorin e Kosovës.

Pas kësaj ngjarjeje tragjike, Komuna e Vushtrrisë e ka shpallur të martën ditë zie.

Kryetari i komunës, Ferit Idrizi, bëri të ditur se janë anuluar të gjitha aktivitetet e parapara për këtë ditë.

“Me vendim të Kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, dita e sotme është shpallur Ditë Zie në territorin e Komunës së Vushtrrisë, në shenjë nderimi dhe pikëllimi për humbjen tragjike të jetës së bashkëqytetarëve tanë, Ejup Tërnava, Cennet Tërnava dhe Fatmire Shabani”, thuhet në njoftimin e Komunës së Vushtrrisë.

Sipas vendimit, të gjitha institucionet publike dhe subjektet afariste në Komunën e Vushtrrisë obligohen që gjatë ditës së sotme t’i vendosin flamujt në gjysmështizë.

“Po ashtu, gjatë ditës së sotme pezullohen të gjitha aktivitetet politike, kulturore dhe sportive në Komunën e Vushtrrisë. Në këto momente të rënda, u shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjeve Tërnava dhe Shabani dhe bashkëndjejmë dhimbjen për këtë humbje të rëndë”, thuhet më tej në njoftim.

Ndërkohë, të hënën në Istog humbën jetën edhe dy persona si pasojë e një aksidenti trafiku, ndërsa tre të tjerë mbetën të lënduar.

Aksidenti përfshiu dy automjete, konfirmoi zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

Sipas tij, njëra nga viktimat u shpall e vdekur në vendin e ngjarjes nga ekipi mjekësor, ndërsa viktima e dytë ndërroi jetë pasi u transportua në Spitalin Rajonal të Pejës.

Mëngjesin e së martës, edhe një person tjetër u raportua se ka humbur jetën si pasojë e një vetaksidenti.

Në vendin e ngjarjes dolën njësitet e Policisë së Kosovës, zjarrfikësit dhe ekipet emergjente, të cilat ndërhynë për t’u ofruar ndihmë të lënduarve dhe për të menaxhuar situatën.

Lajme të ngjashme