Fitorja e Zymtë
Nga Arbër Koliqi
Sa herë marr rrugën për në Aeroportin e Prishtinës për t’u kthyer në Amerikë, më kap njëfarë pikëllimi. Jo aq shumë për njerëzit që i njoh apo kujtimet me miqtë, por për vendin – rrugët, lagjen, lokalet, trafikun, qytetin që lëviz. Më sillet si film në mendje. Më ndizen shqisat si në ëndërr. Pasqyroj imazhe të njerëzve duke hipur në autobus me qese në dorë, më duket se po rrëzohem nga ajo karriga e luhatshme në kafene, e nuhas erën e mbeturinave dhe më shfaqet ai taksisti me barkun përpara. Këtë itinerar, me këto inserte, e bëj tash e 25 vjet. Unë kthehem mbrapa, Kosova ecën tutje.
Kësaj radhe, ndjenjat ishin edhe më të forta. Në Kosovë më ftuan për 25-vjetorin e maturës. Shkova me shumë dëshirë. I pashë shoqet dhe shokët e klasës. Shumë prej tyre nuk i kisha parë prej një çerek shekulli. Ishin mirë. Kishin arritur në profesion, në punë dhe në familje. Takova edhe disa prej profesorëve. Të gjithë kishin përparuar bashkë me të arriturat e Kosovës. U lumturova shumë.
Në anën tjetër, për herë të parë në Kosovë ndjeva njëfarë zymtësie të pashpjegueshme. Sikur diçka kishte shtangur. E vëreja në fytyrat e njerëzve, por nuk arrija ta kuptoja e as ta shpjegoja. Derisa hipa në aeroplan.
Para se aeroplani nga Cyrihu në Chicago të hapte krahët drejt qiellit, unë kisha lëshuar një film të animuar, “Elio”, në ekranin e ulëses përpara. Nuk isha i përqendruar sa duhet. Insertet tashmë të rëndomta të Kosovës më silleshin nëpër kokë, kurse, në anën tjetër, tentoja ta ndiqja tregimin e Elios. Aeroplani kishte arritur një lartësi të caktuar pa e vërejtur. Elio, një djalë i ri që nuk gjente qetësi në tokë, përmes një radiolidhjeje u bënte thirrje jashtëtokësorëve që, nëse e dëgjonin, të vinin ta merrnin nga toka. Kërkonte një fillim të ri.
Në momentin kur Elio po kërkonte shpetim, sikur me qëllim, ekrani ngriu. Kapiteni i aeroplanit e ndezi mikrofonin:
“Ju flet kapiteni Schmidt. Mirë se vini në Swiss Air! Udhëtimi për në Chicago do të zgjasë 9 orë. Qielli është i hapur dhe moti do të jetë i mirë. Ju uroj udhëtim të rehatshëm.”
Një mesazh i rëndomtë prej piloti. Prita ta vazhdoja filmin, por ekrani mbeti i ngrirë. Kishte problem teknik me videotekën, i cili zgjati gjatë gjithë fluturimit. Nuk e pashë çfarë ndodhi me Elion.
Derisa po e shikoja ekranin e ngrirë dhe prekja pullat e rëndomta që filmi të vazhdonte, m’u kujtua diçka, pasojë e së cilës janë edhe këto mendime në këtë letër.
Kosova kishte ngrirë. Sikur Elio.
U stepa pak në ulësen pranë dritares. Kosova e ngrirë?! Populli si Elio, që kërkonte ndryshim?! Albin Kurti si videotekë e ndryshkur e një aeroplani pa ngjarje?!
Para një muaji, Kurti kishte fituar zgjedhjet e treta brenda një viti.
Në të kaluarën, çdo palë zgjedhjesh sillnin një lloj shprese dhe vullneti. Kur Vetëvendosje erdhi në pushtet në vitin 2021, vota ishte votë e ndëshkimit dhe e shpresës. Poashtu, edhe viti 2025 ishte një votë e vazhdimit të shpresës. Kishte entuziazëm. Zgjedhjet e dhjetorit 2025 thyen edhe rekorde në pjesëmarrje.
Por zgjedhjet e qershorit 2026 ishin diçka tjetër. Ishin të zymta – edhe vota për Kurtin, edhe ajo kundër tij. Sikur njerëzit e kishin kuptuar se gjërat nuk po lëviznin. Ishte hera e parë që qytetarët votonin në mungesë të shpresës. Fitorja nuk ndihej si sukses, e humbja po kalohej pa dhimbje.
Më pas m’u kujtua se Kosova ishte shumë më e gjallë vetëm një vit më parë. Rrjetet sociale vlonin nga debatet, batutat dhe sharjet. Tani, edhe militantët e territ (një nom de guerre që ua kisha atribuar përkrahësve të Kurtit në X) janë të zymtë. Sikur e kanë pranuar terrin përnjëmend. Si për habi, kësaj here edhe diaspora ishte më pak e pranishme në Kosovë.
Zymtësia e kishte kapluar edhe opozitën. Edhe tregtarët. Punëtorët. Mjekët. Shoqërinë civile. Studentët. Rrugët, lagjet dhe zyrat dukeshin të zbrazëta. Gjithçka dukej e shtangur. Të vetmit që dukej sikur kishin gjetur çelësin e daljes nga zymtësia ishin analistët dhe opinionistët mediatikë. Këta të numrit 99 dhe ata që opinionin e analizën i fusin brenda sponsorizimeve, e jo sponsorizimet brenda analizës. Sado-kudo, disa e kanë kuptuar që edhe opinioni është mall pazari.
Mendoj se ti, si lexues, e kupton këtë që po e them dhe, nëse je në Kosovë, e ndjen këtë zymtësi. E kupton edhe Albin Kurti. Ndoshta për të lloji i fitores nuk çon peshë, por për Kosovën shpresa dhe dalja nga status quo-ja janë jetike. Është interes kombëtar i patjetërsueshëm. Fitorja pa shpresë është humbje e të gjithëve.
Aeroplani i lëshoi krahët drejt O’Hare. Isha i lodhur. Gati isha ngrirë edhe vetë pas 9 orësh fluturimi. Në mungesë të videotekës, shumica e udhëtarëve kishin fjetur ose koteshin si të fjetur. Nga zori m’u desh të çohem dhe të ec drejt Exit-it bashkë me të tjerët. Ishte hera e parë që ndjeva sikur unë po ecja, ndërsa Kosova ishte ngrirë në të kaluaren.
P.S. Nga kureshtja e pyeta djalin për përfundimin e filmit. Elio tha rikthehet në tokë.