Audio-incizim i Lladrovcit, Hajdari: Ky skandal është fotografia e pastër e qeverisjes së Lladrovcit
Kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Drenasit, Petrit Hajdari, ka deklaruar se kryetari aktual i kësaj komune Ramiz Lladrovci po tenton shtrembërimin e fakteve pas publikimit të audio-incizimit nga “Vox Kosova”.
Në një konferencë për media, ai ka thënë se edhe më herët ka pasur dyshime për Lladrovcin.
Sipas tij, ky skandal është fotografia e pastër e qeverisjes së Lladrovcit.
“Dy ditë më herët, opinioni publik dhe komuna jonë u shokuan audio-incizim ku kryetari në largim i Drenasit dëgjohet duke bërë pazare me tokat e komunës si të ishin pronë personale e tij duke llogaritur miliona përfitime me pasurinë publike”, ka deklaruar ai, duke shtuar se ky është një turp institucional.
“Ky skandal nuk është rastësi, por është fotografia e pastër e qeverisjes së tij. Kur populli numëron centët, kryetari numëron milionat. Ai që thirrej në qeverisje me duar të pastra, tash po del se duart i ka pasur thellë në xhepat e qytetarëve të Drenasit. Ky është një akt i paprecedentë, ky është një turp institucional”, ka thënë Hajdari.
Ai ka folur edhe për pretendimet e Lladrovcit, i cili ka thënë se audio-incizimi është bërë nga zyrtari i PDK-së.
“Çdo vendim që e merr gjykata, për neve dhe Partinë Demokratike të Kosovës do të jetë i zbatueshëm, sepse janë obligative. Kur të flet drejtësia ne jemi këtu për t’i shtyer proceset përpara. Zotri Sinani e ka adresën mund ta pyesni atë, përgjegjësi për atë punë nuk mbaj. Kam dëgjuar si të gjithë ju. Opinion publik në Drenas është i tronditur. Nuk e di saktë kush ka qenë në tavolinë”, është shprehur ai.