Arsiq mohon se kreu krime lufte: “Jam i martuar me shqiptare”
Dushko Arsiq ka mohuar se ka kryer krime lufte gjatë seancës fillestare të mbajtur të enjtën në në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, raporton Betimi për Drejtësi.
Arsiq ka thënë se po të bënte krime lufte nuk do të martohej me grua shqiptare.
“Po ta kisha bërë një gjë të tillë, nuk do ta kisha martuar një shqiptare”, shtoi i akuzuari Arsiq.
“I akuzuari për krime lufte, Arsiq ngarkohet se ka marrë pjesë në vrasjen e B.SH më 20 prill 1999 në Butovc të Prishtinës si dhe ka maltretuar fizikisht e psiqikisht A.K”, raporton Betimi për Drejtësi.
Më tej, edhe avokati mbrojtës i tij, ka kundërshtuar aktakuzën dhe disa prova ndaj klientit të tij.
Sipas aktakuzës, Arsiq akuzohet për se “në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të Policisë serbe dhe grupet paramilitare, në muajt janar-qershor 1999, ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen e qytetarëve nga Prishtina dhe rrethina. Aktakuza e ngarkon Arsicin se bashkë me grupin tjetër kanë filluar të bëjnë plaçkitjen e shtëpive, si dhe më pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve ia kanë vënë zjarrin si dhe për keqtrajtimin e civilëve shqiptarë, plagosje si dhe për vrasje."
