Arrestohet një person në Mitrovicë të Jugut, policia i sekuestron 11 gramë narkotikë
Një person ka përfunduar në pranga të policisë mesditën e sotme në Mitrovicë të Jugut, nën dyshimin për posedim të paautorizuar të substancave narkotike.
Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi ka ndodhur në rrugën “Pajazit Boletini”. Gjatë kontrollit të ushtruar, policia ka gjetur dhe sekuestruar tek i dyshuari 10 qese me substancë të dyshuar narkotike, me një peshë totale prej 11.1 gramësh.
Për rastin është njoftuar prokurori kompetent, i cili ka lëshuar vendim për ndalim policor ndaj të dyshuarit. Rasti po trajtohet si “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.