Arrestohet një person në Kaçanik, u prezantua rrejshëm si zyrtar policor
Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Kaçanik për prezantim të rrejshëm.
Përmes një komunikate, policia ka bërë të ditur se i dyshuari 44 vjeçar, është prezantuar rrejshëm si zyrtar policor me rroba civile.
I njëjti, më pas ka marrë 1600 euro nga një person tjetër, me qëllim se do ta ndihmonte për lirimin e një personi nga burgu.
Njoftimi i plotë i policisë:
Arrestohet një person për prezantim të rrejshëm në Kaçanik
Me datën 15.11.2023 rreth orës 14:20 policët hetues të stacionit në Kaçanik, pas një pune intensive hetimore, grumbullimit të informacioneve në terren, kanë arritur të identifikojnë dhe të arrestojnë personin S.R (M/K) i moshës 44 vjeçar , i cili dyshohet se ditë më parë në fshatin Doganaj të Kaçanikut ishte prezantuar rrejshëm si zyrtar policor me rroba civile dhe i kishte marrë (mashtruar) 1600 euro personit tjetër, me qëllim se ai do ti ndihmonte për lirimin e një personi nga burgu.
I dyshuari është shoqëruar në stacionin e policisë në Kaçanik dhe pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj , është ndaluar në mbajtje për 48 orë, për procedura tjera hetimore, ndërsa rasti është cilësuar ‘’ Prezantim i rremë si person zyrtar’’