Arrestohet Hysen Hysenaj pas kërcënimit ndaj gazetarit të Nacionales, Col Mehmeti
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se reperi Hysen Hysenaj është ndaluar për 48 orë, pas kërcënimit që ia bëri gazetarit të Nacionales, Col Mehmeti.
Në një njoftim për media, prokuroria ka njoftuar se ka paraqitur aktakuzë, së bashku me kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.
Më shumë detaje: Gazetari i Nacionales Col Mehmeti, kërcënohet nga Hysen Hysenaj – Prince Double H
“Prishtinë, 24 prill 2026 - Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti i Përgjithshëm, njofton se me aktvendim të prokurorit të shtetit, është ndaluar një person me inicialet H.H., për një periudhë prej 48 orësh (dyzetë e tetë) orësh, pasi i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale ‘’Kanosja’’, nga neni 181 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas dyshimeve fillestare, i dyshuari H.H., ka kanosur gazetarin S.M., për shkak të ushtrimit të detyrës dhe profesionit të tij.
Prokurori i shtetit, pranë gjykatës kompetente, ka paraqitur aktakuzë, së bashku me kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, mbetet e përkushtuar në mbrojtjen dhe garantimin e sigurisë së plotë për gazetarët në respektimin e lirisë së shprehjes”, thuhet në komunikatë.