Apeli vërteton pjesën liruese dhe e liron plotësisht A.D në rastin e vrasjes së dy zyrtarëve policorë
Gjykata e Apelit e Kosovës, Departamenti Special, ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Speciale dhe ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë në pjesën liruese (pikat I dhe II të dispozitivit), që lidhej me akuzat për vrasje të rëndë në bashkëkryerje dhe vrasje të rëndë në tentativë.
Po ashtu, Apeli ka aprovuar ankesën e mbrojtjes së të akuzuarit A.D. dhe, sipas detyrës zyrtare, ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special (PKR.nr.236/2017, datë 22.11.2023), duke e liruar A.D. edhe nga akuza për “ndihmë në kryerjen e veprës penale – vrasje”. Në aktgjykimin e shkallës së parë, A.D. ishte shpallur fajtor për këtë pikë dhe ishte dënuar me 8 vjet burgim, me llogaritje të paraburgimit.
Në arsyetim, Gjykata e Apelit vlerësoi se vendimi i shkallës së parë nuk përmbante shkelje esenciale procedurale dhe se provat e administruara nuk kanë qenë të mjaftueshme për të provuar se të akuzuarit B.K. dhe A.D. kanë kryer veprat penale për të cilat ishin akuzuar, përfshirë vrasjen e dy zyrtarëve policorë (UNMIK dhe Policia e Kosovës) dhe tentativën ndaj dy personave të tjerë gjatë kryerjes së detyrës.