Andin Hoti dyshon që Serbia do ta zbatojë marrëveshjen për të pagjeturit, kërkon presion nga BE-ja
Pas shtatë orësh bisedime në Bruksel më 22 janar, Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord të funksionalizojnë Komisionin e Përbashkët për Personat e Pagjetur gjatë luftës.
Por kryesuesi i Komisionit Qeveritar, Andin Hoti, shpreh dyshime se Beogradi mund të refuzojë zbatimin e vendimeve, veçanërisht kërkesën për qasje në arkivat ushtarake serbe.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Hoti thotë se Serbia tentoi gjatë gjithë takimit t'ia zbusë fuqinë politike komisionit, duke e zhvendosur çështjen në grupe pune apo mekanizma të tjerë.
"Synimi im ka qenë involvimi i BE-së për të ushtruar presion ndaj Serbisë," tha ai.
Kërkesat e Kosovës për arkivat, veçanërisht të Brigadës 37-të, janë publike që nga janari 2024.
Hoti theksoi se tani varet nga Bashkimi Evropian të raportojë 27 vendeve anëtare nëse Beogradi refuzon bashkëpunimin.
"Kemi një mekanizëm dhe dokument të BE-së që duhet t'i japin trysni Serbisë," shtoi ai, duke shprehur shqetësimin se pa këtë presion, fati i personave të zhdukur mbetet i paqartë.