Ambasadori i Francës: Kosova është Evropë, dy vendet tona po përballen me femicide
Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka dhënë një intervistë për Klan Kosovën, ku ka folur për shumë tema, përfshirë për të ardhmen e Kosovës.
Sipas ambasadorit francez, Kosova është Evropë.
“Nuk e prisja që afërsia me Evropën Perëndimore të ishte kaq e madhe. Kjo ndoshta për shkak të diasporës dhe refugjatëve që u kthyen në Kosovë pas disa viteve të kaluara në Francë apo vende tjera. Sido që të jetë, Kosova nuk është aq ndryshe sa shumë besojnë. Kosova është Evropë. Jam i kënaqur që shumë kosovarë kanë mundësinë të bëjnë këtë konstatim, në drejtim të kundërt, duke ardhur më lehtë për të vizituar BE-në me liberalizimin e vizave.” – deklaroi ai, transmeton Klan Kosova.
Tutje, ai ka përmendur edhe temën e femicidit e pabarazisë.
“Ne aspektin më pak pozitiv, dy vendet tona vazhdojnë të përballen me femicide dhe pabarazi mes burrave dhe grave. Mund të mos jenë të njëjtat pabarazi, por ne mund të punojmë dhe të mësojmë nga njëri-tjetri. Kjo është një nga fushat e punës së ambasadës, sepse në një shoqëri ku burrat dhe gratë janë pengje të stereotipeve, në fakt askush nuk është vërtet i lirë.” – shtoi ai.