Albulena Haxhiu: Me shqetësim të thellë po i përcjell raportimet për ndërhyrjet në rastin Brezovica
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook, ka shkruar se është e shqetësur rreth raportimeve për ndërhyrjet në hetime të rasitit Brezovica.
“Me shqetësim të thellë po i përcjell raportimet për ndërhyrjet flagrante në rastin e njohur Brezovica. Hetimet që po zhvillohen në kuadër të këtij rasti janë ndër më të rëndësishmet në luftën kundër korrupsionit që nga shpallja e pavarësisë”, ka shkruar Haxhiu.
Minsitrja thotë se pavarësisht parimit të prezumimit të pafajësisë, çdo dyshim i arsyeshëm për ndërhyrje në procesin duhet të hetohet edhe si vepër penale.
“Keqpërdorimi i detyrës zyrtare dhe ushtrimi i ndikimit për të penguar proceset hetimore, përbëjnë një kancer në sistemin tonë të drejtësisë, një kancer të cilit duhet të gjithë së bashku t'i japim fund dhe atë sa më shpejt”, ka shkruar ministrja e Drejtësisë.
Ditë më parë pati raportime në media se ky rast është vënë në shënjestër nga një numër i madh personash brenda e jashtë institucioneve, përfshi sistemin e drejtësisë, të cilët dyshohet se janë duke tentuar të shkatërrojnë hetimet.