Aktakuzë ndaj 35 të pandehurve për krime lufte në Prekaz, Gashi: 26 civilë u vranë, mes tyre fëmijë, gra e të moshuar - NACIONALE

Aktakuzë ndaj 35 të pandehurve për krime lufte në Prekaz, Gashi: 26 civilë u vranë, mes tyre fëmijë, gra e të moshuar

3 orë më parë

nga NACIONALE

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 35 të pandehurve për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë sulmit të forcave serbe në lagjen Jasharaj në Prekaz të Skenderajt, më 5, 6 dhe 7 mars 1998.

Në një konferencë për media, prokurori i rastit, Valdet Gashi, tha se bëhet fjalë për një rast kompleks dhe sfidues, ndërsa theksoi se hetimi është zhvilluar përmes një pune intensive dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera.

Sipas Gashit, provat e siguruara kanë vërtetuar dyshimin e bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprën penale “Krimet e luftës kundër popullsisë civile”.

“Si rezultat i hetimit, bazuar në provat materiale dhe personale, kemi arritur t’i identifikojmë 35 të pandehur në këtë rast, të cilët i përkasin pozitave të larta komanduese në strukturat e njësive speciale të Policisë Serbe”, tha Gashi.

Ai bëri të ditur se gjatë hetimit janë identifikuar njësitë serbe që morën pjesë në sulm, pozicionet e tyre, aktivitetet e të pandehurve, armatimi i përdorur dhe dëmet e shkaktuara.

“Provat e siguruara gjatë hetimit të këtij rasti kanë vërtetuar se në këtë sulm janë vrarë 26 persona civilë, në mesin e të cilëve kishte fëmijë, gra dhe të moshuar”, tha prokurori.

Gashi shtoi se gjatë sulmit, pjesëtarë të njësive speciale serbe kishin marrë peng banorë të lagjes Jashari dhe i kishin maltretuar në forma të ndryshme.

Prokurori bëri të ditur se në mesin e strukturave që morën pjesë në operacion ishte edhe Njësia për Operacione Speciale e Serbisë, e cila, sipas tij, drejtohej nga Milorad Ulemek, i njohur me pseudonimin “Legija”.

“Njësinë për Operacione Speciale e ka udhëhequr Milorad Ulemek ‘Legija’, i cili e ka pasur për obligim dhe detyrë, me kërkesën e tij speciale, që ta sulmojë drejtpërdrejt shtëpinë e familjes së Shaban Jasharit. Kështu edhe ka ndodhur në terren”, tha Gashi.

Ai theksoi se detajet e tjera për mënyrën e organizimit të sulmit dhe përgjegjësitë e të pandehurve janë të elaboruara në aktakuzë.

Gashi njoftoi gjithashtu se aktakuza është ngritur në mungesë, pasi Prokuroria Speciale, sipas tij, i ka shterur të gjitha mundësitë për sigurimin e të pandehurve në procedurë penale.

Sipas informacioneve që posedon Prokuroria Speciale, të 35 të pandehurit janë ende gjallë.

Lajme të ngjashme