Aksioni për strukturat paralele: Policia thotë se u zhvillua në koordinim me organet kompetente, Prokuroria e mohoi
Policia e Kosovës ka lëshuar komunikatë për media, duke thënë se operacioni i sotëm për mbylljen e strukturave paralele, u krye në koordinim me organet përgjegjëse, ndërkohë veç disa minuta më parë, Prokuroria e mohoi të ketë dhënë urdhër për këtë aksion, madje duke e quajtur shkelje të procedurave ligjore.
Komunikata e Policisë
Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare dhe autorizimeve ligjore e kushtetuese, angazhohet për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, ndërmarrjen e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në nivel vendi, përfshirë ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim.
Policia e Kosovës me njësitë e saja relevante, sot në orët e hershme të mëngjesit, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës, ka realizuar një operacion të gjerë policor, operacion ky i shtrirë në disa rajone të Kosovës: DRP Prishtinë, DRP Gjilan, DRP Gjakovë dhe DRP Mitrovicë Jugu, për ndërprerjen e aktiviteteve të disa institucioneve të jashtëligjshme që vepronin si komuna, posta, banka etj., të cilat ofronin shërbime të jashtëligjshme, kundër rendit kushtetues dhe ligjeve pozitive të Republikës së Kosovës.
Qëllimi i operacionit policor është vendosja e rendit dhe ligjshmërisë, ku Policia e Kosovës, bazuar në kërkesën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, ka asistuar zyrtarët e kësaj ministrie si dhe të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për ndërprerjen e aktiviteteve të jashtëligjshme të këtyre institucioneve.
Të gjitha veprimet policore janë realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, ku varësisht nga të gjeturat do të ndërmerren masat e mëtejme ligjore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.
Komunikata e Prokurorisë
Prokuroria Themelore në Prishtinë me qëllim të transparencës dhe sqarimit të opinionit publik, njofton se lidhur me rastin e kryerjes së kontrolleve dhe bastisjeve në disa lokacione për shkak të dyshimit se ekzistojnë struktura paralele, prokurori i shtetit sqaron opinionin publik se nuk ka autorizuar kryerjen e kontrollit apo bastisjes në këto lokacione, për shkak se nuk ka pasur ndonjë kërkesë zyrtare me shkrim për kryerjen e këtij aksioni nga ana e institucioneve gjegjëse, për çka edhe nuk është ofruar kurrfarë prove para prokurorit të shtetit për tu krijuar dyshimi i bazuar se është duke u kryer ndonjë vepër penale që bie nën kompetencën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë. “ – thuhet në komunikatë.
Madje në komunikatën e Prokurorisë thuhet se “me këtë rast nuk janë përfillur procedurat e nevojshme të përcaktuara decidivisht në Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, nuk ka mundur që në rastin konkret të lëshohet çfarëdo autorizimi.”.
Që i bie se aksioni u bë pa i përfillur procedurat ligjore.
Reagimi i Ambasadës së ShBA
Ambasada amerikane ka kritikuar veprimet e Qeverisë së Kosovës, pas mbylljes së institucioneve paralele në disa komuna.
Në një përgjigje për Nacionalen, nga ambasada kanë thënë fillimisht se këto veprime, ndikojnë negativisht te qytetarët e vendit.
“Veprimet e Qeverisë së Kosovës për të mbyllur institucionet e drejtuara nga Serbia ndikojnë direkt dhe negativisht te qytetarët e Kosovës – serbët etnikë dhe komunitetet tjera – dhe mund të minojnë aspiratat e Kosovës për t’iu bashkuar komunitetit euroatlantik” – ka thënë një zëdhënës i Ambasadës.
Tutje, në përgjigje thuhet se këto veprime dobësojnë besimin dhe kufizojnë aftësinë e ShBA-së për ta ndihmuar vendin.
“Këto veprime, kundër këshillave tona më të mira, dobësojnë besimin në marrëdhënie dhe kufizojnë aftësinë tonë për të ndihmuar Kosovën të sigurojë të ardhmen më të mirë dhe më të ndritshme për të gjithë njerëzit e saj.
Ne po vazhdojmë të monitorojmë situatën” – thuhet në përgjigje.