Aeroplani godet një kamion në pistë gjatë ngritjes, vdesin dy zjarrfikës në Peru
Dy zjarrfikës kanë vdekur, pasi një aeroplan është përplasur me një kamion të zjarrfikësve gjatë ngritjes në qiell në aeroportin më të ngarkuar të Perusë.
Aeroplani i kompanisë “Latam Airlines” u përplas me kamionin pak para orës 15 e 30 minuta të premten në Aeroportin Ndërkombëtar “Jorge Chavez” në kryeqytetin e këtij vendi, Lima.
Kompania e fluturimeve tha se asnjë pasagjer i aeroplanit nuk ka vdekur. Në pamje shihet tymi i madh e i zi duke dalë nga aeroplani.
Sipas një drejtori në agjencinë spitalore “EsSalud”, një zjarrfikës është në gjendje kritike, raporton televizioni BBC.
Ministria e Shëndetësisë e Perusë tha se 20 pasagjerë janë duke u trajtuar për shkak të lëndimeve. Besohet se dy prej tyre janë në gjendje më serioze.
Mbetet e paqartë se pse kamioni kishte hyrë në pistë gjatë ngritjes së aeroplanit, i cili ishte nisur për në një qytet tjetër të këtij shtetit, Juliaca.