ADN-ja e Vijentijeviqit e gjetur në “fitilin ndezës 9.2 metra”: Analiza shkencore e AFK-së dhe italianëve për sulmin në Ibër-Lepenc
Ekspertë të ADN-së, vendorë dhe ndërkombëtarë, kanë arritur të gjejnë “përputhshmëri të plotë” të disa lokuseve të ADN-së të gjetur në fitilin ndezës prej 9.2 metrash të gjatë, me të cilin ishte kryer sulmi terrorist me 20 kilogramë lëndë shpërthyese mbi kanalin e Ibër-Lepencit në nëntor të vitit të kaluar, raporton Nacionale.
Nga Agjencioni Kosovar i Forenzikës është konstatuar se nga 24 lokuse të pranuara, 20 prej tyre kanë pasur përputhshmëri të plotë me të dyshuarit Jovan Vijentijeviq, ADN-ja e të cilit është gjetur në vendin e ngjarjes.
Edhe policia shkencore italiane në Romë, ku janë dërguar nga si prova nga Prokuroria Speciale e Kosovës, i ka mbështetur të gjeturat.
Ata gjenë “përkrahje jashtëzakonshme të fortë statistikore”.
“Sipas Rezultatit të përfituar të AFK-së dhe interpretimit të bërë të miksturës nga kolegët italianë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Italisë, Sektori i Policisë Shkencore në Romë, duke aplikuar metoda të avancuara shekcnore, mund të konstatojmë se i pandehuri Jovan Vijentijeviq ka qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me dëshminë Nr.4 të përshkruar si më lartë, pra me një fitil ndezës 9.2 metra të gjatë, i gjetur në vendin e ngjarjes dhe menjëherë pas sulmit terrorist”, thuhet në aktakuzën që ka lexuar Nacionale.