Abortimi i çikave në Kosovë, komandanti Gërguri: Vajzat janë shpirti i shpirtit
Dokumentari për abortin selektiv në Kosovë “Vrasjet e vajzave në barkun e nënës” nga emisioni “Udhëve” ka shkaktuar shumë reagime.
Lidhur më këtë, ka reaguar edhe komandanti i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Amir Gërguri.
Më anë të një postimi në Facebook, Gërguri ka thënë se kur ka lexuar lajmin për abortet selektive i janë kujtuar vajzat e tij.
“Lexova në lajme, se në Kosovë perdoren mënyra të ndryshme, për mos të lindë vajza, por djem!! U trishtova! Për një moment, mu kujtuan dy vajzat e mia, pa të cilat familja ime nuk ish kanë e kompletume. Mu kujtuan dy vajzat e mia, te cilat na e kanë ba jetën të kompletume, e me plotë ngjyra. Mu kujtuan dy vajzat e mia, që prej të cilave e kam mësua dashninė, kujdesin e perkushtimin. Shtepia pa vajza, është shtëpi e pakompletume. Familja pa vajza, nuk është e plotë. Vajzat janë shpirti i shpirtit. Vajzat jane gëzimi i jetës”, ka shkruar Gërguri.
Më tutje, ai ka shkruar se çfarë duhet të bëjë shoqëria kosovare që të mos ketë më gjëra të tilla.
“Bashkë, të gjithë duhet me punu fuqishëm, me ndryshu rrënjësisht mendësinë, ku vajzat nuk i llogarisin fëmijë. Vajzat janë copë e shpirtit, janë gjaku juaj, janë familja juaj. Dhe, duhet ti trajtojmë si te tilla! Uroj që kurr të mos kemi lajme të tilla, më”, ka shkruar ai.
Çfarë u tha në hulumtimin “Vrasjet e foshnjave në barkun e nënës”?
Në emisionin “Udhëve” u zbulua skandali se si bëhet selektimi i gjinisë nga gjinekologë kosovarë.
Se cilët janë mjekët që kryejnë këtë procedurë kundërligjore?
Emisioni ka sjellur rrëfimet e grave që selektuan gjinitë e foshnjave ende pa i lindur.
Si dhe nëse aborti selektiv ka të bëjë më Femicidin, ku vrasjet dhe abortimet e grave ndodhin për shkak të seksit të tyre.
