Abdixhiku: Kënaqësi të shoh kërkesën e qartë dhe këmbëngulëse të njerëzve tanë për të vazhduar
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se gjatë mbrëmjes së shtunës ka qëndruar në Llap në kuadër të 'Turneut të Falenderimit', ku është takuar me qytetarë të kësaj ane.
Ai tha se ndjen kënaqësi dhe se sheh kërkesë të qartë "këmbëngulëse të njerëzve tanë për të vazhduar me plot insistim në rrugëtimin e përcaktuar të Lidhjes sonë."
Postimi:
Sonte, pas iftari, qëndrova në Llap, mes njerëzve zemërhapur të kësaj ane. Plot mikëpritje, e përplot biseda të çastit me ata që u takuam sonte në një mbrëmje të zakonshme llapjane.
Mes njerëzve të Kosovës, aty ku buron dhe qëllimi politik. Mes mbështetësve tanë e jo vetëm, ku ndërtohet rrugëtimi ynë. Sa kënaqësi të shoh kërkesën e qartë dhe këmbëngulëse të njerëzve tanë për të vazhduar me plot insistim në rrugëtimin e përcaktuar të Lidhjes sonë. Kur zëri qytetar përputhet me angazhimin politik, ndihemi të plotësuar.
Ky zë do të dëgjohet!
Le të jetë ky dhe fillimi i Turneut të Falenderimit për të gjithë 171 mijë - dhe jo vetëm - mbështetësit tanë. Do të jem në gjithë Kosovën për të ju falenderuar sa më shumë; e për të lidhë fort e ngushtë secilin hap tonin!