Abdixhiku: Kosova ndjek rrugën e ardhshme pa Albin Kurtin; e tensionoi situatën, morëm dënime
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka shprehur bindjen se rruga drejt të ardhmes së Kosovës nuk do të përfshijë Albin Kurtin, duke përjashtuar çdo mundësi bashkëpunimi me të.
Abdixhiku theksoi se alternativa e vetme e mundshme për Kosovën është rruga e tretë, një rrugë që do të lidhet me aleatët për të përmirësuar raportet me Serbinë dhe për të luftuar bandat e organizuara në veri. Ai shprehu shqetësimin se sot Kosova është në një gjendje të rëndë dhe pa aleatë.
Kreu i LDK-së ka lënë përgjegjës kryeministrin Kurti për situatën akutale në vend. Në veçanti, ai u ndal në situatën në veri të Kosovës, ku si pasojë e moskoordinimit mes ekzekutivit kosovar dhe aleatëve, Kosovës iu vendosën sanksione.
“Ka një rrugë të tretë, që me aleatë e mundim Serbinë, me aleatë i luftojmë edhe bandat në veri. Sot jemi të dobët, pa aleatë dhe prodhues të krizave”, - ka deklaruar ai.
“Shikoni çfarë bëri në veri, e tensionoi situatën, morëm dënime, sanksione. E kuptoni sa e trishtë është kjo?“Të gjitha këto trazira për t’u kthyer sërish kryetarët serbë në komunat në veri. Çfarë arritje është kjo? Për teket e një njeriu që të mbuloj paaftësinë e tij në sektorët e tjerë,” - ka thënë ai më tej.