Udhëtim në Manastirin e Kërçovës – murgesha, tekste e histori - NACIONALE

Udhëtim në Manastirin e Kërçovës – murgesha, tekste e histori

1 muaj më parë

nga Col Mehmeti

Në juglindje të Kërçovës, përskaj rrugës për në Ohër, në rrëzat e maleve të Biglës, në një pllajë të kodrinës së quajtur Visoi, naltohet një nga manastiret më të bukura në Maqedoni. Qysh prej shekullit të 14-të, kjo hijerore pati si patrone të veten Hyjëlindësen Mari. I rindërtuar në shekullin e 16-të, e së fundmi edhe më 1848, manastiri i Kërçovës ka rrëfime intersante sa nga e kaluara, ashtu edhe nga e tashmja. Për shekuj me radhë, shqiptarë ortodoksë e myslimanë nga rrethinat kanë mësyrë drejt ngrehave të këtij manastiri si strehë force shpirtërore.

Col MEHMETI

2 tetor 2025 – Në të dalë të Kërçovës, për nja dhjetë kilometra e ca, rruga drejt Ohrit zakonisht qarkullimin e ka më të rrallë e më të rrallë.

Me të kaluar Drugovën, duke u shkëputur nga rruga magjistrale, udhëtimi ynë merr një kthesë në të majtë.

Këtejpari është pjesa më e përfjetur për nga qetësia në viset e Kërçovës.

Si shenjë moderne, rruga malore është prania e vetme e qytetërimit bashkëkohor që e çan këtë poetikë të paprekur natyre.

Ajo zgjatet vetmitare mespërmes masivit malor të Biglës ku edhe ato fshatra të dikurshme janë përbirë nga masa pyjore.

Në çdo gjarpërim të rrugës, e cila merr kthesa herë në të majtë e herë në të djathtë, shquajnë atje lart ngrehat e manastirit të Hyjëlindëses së Papërlyeme me këmbanoren e bardhë.

Pas manastirit të Bigorit në Dibër, ky manastir kërçovar është nga ma të hijshmit në Maqedoninë Perëndimore.

Në shekullin e 15-të, atëherë kur qëndresa arbërore po vazhdonte kryeneçe kundër pushtimeve osmane, popullata shqipfolëse e këtyre anëve ishte thuajse e gjitha ortodokse.

Dhe me sytë e mendjes, edhe në një udhëtim qejfi si ky i yni, fare lehtë përfytyrohet se për shekuj me radhë shqiptarë vendës kanë mësyrë drejt hijerores mbi kodrinën e quajtur Visoi.

Në sllavishten kishtare, manastiri në fjalë u njoh qysh në krye të herës si Bogorodica Prečista (Hyjëlindësja e Dëlirë). Një mbishkrim i gërricur në çatinë e absidës thotë se kisha iu kushtua kremtes së Shpalljes së Shenjtë kur Kryeengjulli Gabriel i dha kumtin e madh Marisë së virgjër.

Ndryshe nga shumë manastire ortodokse, ky i Kërçovës është nga të rrallët në këto anë që popullohet i tëri nga një komunitet murgeshash.

Është një motërsi, një bashkësi femrash të përkushtuara fetarisht, që bën jetë manastirore duke zbatuar shartet e disiplinës shpirtërore.

Një ditë fundshtatori është tejet fatlume për të qenë mysafir në manastirin e zhytur në qetësi të thellë.

Me të hapur portën kryesore të kompleksit, kisha kryesore dhe kopshti i fjetur të shiton me një ndjesi të ëndërrt parajsore.

Nga të dyja anët zgjaten konaqet e manastirit me çardakët e hapur, parmakët e parvazet e dritareve plot me lule të manushaqta. Bimë zbukuruese e selvi të gjelbërta vetëm sa e shtojnë frymën e serenitetit manastiror.

Sapo heton mysafirët e parë, një qenush bardhok e lozonjar vrapon herë drejt nesh e herë drejt dikujt që dëgjohet se po hedh çapa dalëngadalë.

Shohim tek vjen drejt nesh një grua në moshë, mbase 60 e ca vjeçe, që ecën avash-avash. Është shembullorisht e dashur dhe mikëpritëse edhe kur e kupton se jemi nga Prishtina.

Është e premte dhe murgeshat janë që të gjitha në Rajçicë të Dibrës, fshat i cili prej kohësh që nuk mbahen mend ishte metoh i manastirit kërçovar.

Plot mirësjellje e kujdes, ajo na shoqëron gjer te hyrja lindore e kishës njëkupolëshe.

Nefi i saj është i thjeshtë dhe nga brenda heshtja bëhet edhe më e plotë si një shkëputje e përnjëhershme nga gjithçka e jashtme.

Secila pjesë aty, nga kupola lart e deri te gjësendet më të vogla, zbulohet paqësisht si veneracion e përnderim me një femërsi absolute.

Ikonat e freskat përçojnë njësoj mijëra ndjesi për Nënën hyjlindëse.

Mjeshtria e ikonografëve vendorë e ka krijuar një botë të brendshme në kishë në të cilën sundon pushteti ëmbëlsisht hyjnor i Nënës.

E tillë është edhe ndjesia e ikonës së Virgjëreshës Mari tek mban Jezusin e vogël.

Një tjetër ikonë në narteks është edhe ajo me Marinë që merr lajmin e gëzuar nga Kryeengjulli Gabriel se ajo do t’i japë jetë Jezusit.

Afreska e ikona vargisin shenjtorë e fetarë që nga Shën Premtja te Shën Qirili e Metodi, Shën Naumi e të tjerë.

Diku me të purpurt e diku me të portokalltë, përzgjedhje e përkorë ngjyrërash, motivet e përjetësuara në artin ikonografik theksojnë një mëmësi sublime si ajo që dikur lindi diçka provanike.

Kisha e sotme nuk është kushedi sa e motshme. Për syrin e një arkitekti, ajo ka një dizajn bazilik, me kupolë goxha të madhe e vestibulë tetëkëndore.

Kisha u ndërtua më 1848 falë ndihmave bujare të Gjurçin Kokaleskit nga Llazaropoja e Rekës së Vogël.

Me prejardhje të largët nga Mati, nga familja e Kokallëve në Shqipërinë e Mesme, në gjysmën e parë të shekullit të 19-të ai ishte një nga qehallarët më të pasur të Maqedonisë.

Shumë nga ikonat e manastirit janë fryt i duarve të mjeshtrit të madh ikonograf, Diço Zografi, që e nderoi veten me copëza artistike kudo nëpër Shqipëri.

Për shekuj, njerëz të përvutë e nevojatarë ngjiteshin lart deri te manastiri për ajazmën (ujin e bekuar) që mbushej te një krua jo larg tempullit.

Bashkësia manastirore siguron njëfarë mirëqenie edhe nga toka përreth dhe bashçet e veta. Nga gjëja e gjallë e nga bletët, qilari i manastirit është tejet i pasur me djathë cilësor, verë e prodhime bulmeti e mjalti.

Ndonëse hijerore ortodokse, manastiri ka pasur dhe ka vazhdimisht edhe vizitorë myslimanë nga vendësit.

Çdo vit, qindra pelegrinë nxijnë oborrin e kishës me rastin e dy kremtave të mëdha: më 28 gusht për Ditën e Naltësimit në Qiell të Marisë dhe me 21 shtator për Ditën e Lindjes së Virgjëreshës.

Në studimet antropologjike e historike, kjo dukuri quhet sinkretizëm fetar, domethënë kur dy fe formalisht dhe doktrinarisht të ndryshme ndërthuren e shfrytëzojnë të njejtat objekte ose venerojnë të njejtat shenjtëri.

Edhe manastiri kërçovar është dëshmi e paasgjësuar sesi banorët vendës, edhe kur kaluan në fenë tjetër, nuk u shkëputën nga tradita e venerimit.

Trashëgimia e manastirit kërçovar nuk është vetëm ajo fetare.

Krenari e tij janë edhe preseqet e dikurshme me shkrime.

Në shekullin e 19-të, mu në shkollën e këtij manastiri përgatitej kleri i vogël që shërbente në Maqedoninë Perëndimore, dhe po këtu morën mësime edhe njerëz si Joakim Kërçovski e Kiril Pejçinoviqi që lanë gjurmë në ringjalljen bullgare.

Dhjetra libra fetarë pësuan keq kur në këto anë ushtruan autoritet kishtar njerëz të Patriarkanës Ekumenike.

Me urdhër të mitropolitit grek të Dibrës, Meletit, më 1848 u dogjën plot dorëshkrime të moçme.

Nam të zi këtu la edhe mitropoliti tjetër ‘grek’, Anthimi (një shqiptar prej Berati) që dogji çdo libër që nuk ishte në greqisht.

Ndërtimi i kishës më 1848 nuk e fshehu historinë shumë më të hershme të këtij tempulli.

Sipas disa dëshmive shkrimore, kisha e kryehershme u ndërtua në kohë të Bizantit, mes viteve 1316-1320, atëherë kur bashkësunduan vëllezërit perandorë Andronik e Mihail Paleologu.

Në Përkujtesorën e këtij manastiri (Parusija), e shkruar më 1847 nga prifti Simeon, thuhet se siç e mbanin mend murgjërit e atyshëm kisha qe ndërtuar në “kohën dhe me urdhër të mbretërve të krishterë” (въ врѣмя и повѣлениемъ царей христианскихъ).

Sidoqoftë, përmendjet e para për një manastir në këtë vend janë në shekullin e 16-të.

I quajtur goxha shpesh edhe si manastiri i Karninit, sipas emrit të një fshati të dikurshëm në ato anë, arkivat në Atos ruajnë dëshmi të ekzistencës së tij qysh më 1527.

Deri vonë, te hyrja, ishte një gur kishe që kishte përjetësuar rindërtimin e saj më 1564 pasi më 1558 qe bërë shkrumb e hi.

Sipas mbishkrimit, pikturimi i freskave ishte bërë prej dorës së zotit Onufër (në çirilicen e tekstit shkruhet “сѧ рѫкою киръ Онуфрiя”).

Ndonëse njerëz me emrin Onufër mund të ketë pasur kudo mes ortodoksësh, ka arsye jo të pakta që të hamendësohet se mjeshtri në fjalë duhet të ketë qenë vetë Onufri nga Elbasani.

Plot afreska e ikona në kishat e manastiret ortodokse në Maqedoni mbajnë vulën e mjeshtërisë së tij. /Nacionale/

Lajme të ngjashme