Tri arsye pse “Vera andrron detin” është standard i ri në kinematografinë kosovare - NACIONALE

Tri arsye pse “Vera andrron detin” është standard i ri në kinematografinë kosovare

1 vit më parë

nga Vullnet Krasniqi

Në film nuk ka heroina. As viktima. As tragjedi apo tentime për komedi. Ka histori, ku tregohen disa rrëfime. Ato e përkthejnë njëra-tjetrën, përmes skenarit, regjisë, lojës së aktorëve dhe xhirimit të rafinuar.

“Vera andrron detin”, që ka filluar të shfaqet për publikun kosovar, është një film që kinematografia kosovare e ka pasur moti ëndërr. Duke mos dashur t'i zbulojë historinë dhe rrjedhën e filmit, ky tekst është një udhëtim mbi tri arsyet pse ky film kosovar është standard i ri në kinematografinë shqipe. Këto janë tri arsyet pse e them këtë:

1. Skenari pa shumë dialogë

Në një moment gjatë filmit, Vera, personazhi kryesor në film - një grua rreth të gjashtëdhjetave, që përballet me dhimbjen e humbjes së bashkëshortit - teksa përballet me kërkesën që të heqë dorë nga shtëpia e bashkëshortit, e qartëson pozicionin e saj në mënyrë shumë të thjeshtë, me rregulla gramatikore.
“Po thu që sytë m’kan mbetë n’shpi tina, a
”, thotë Ahmeti teksa nga Vera e merr përgjigjen: “n’shpi tonë”. Duke luajtur me hollësi të tilla, skenari i shkruar nga Doruntina Basha e fuqizon rolin e Verës në film, jo duke e futur atë në dialogë të gjatë, shpjegues, me tone nervoze ose viktimizimi.
Është thjesht një pohim i një të drejte nga një grua e cila lufton për ta mbrojtur shtëpinë e përbashkët me bashkëshortin nga familja e tij. Filmi të jep hapësirë të mjaftueshme për ta përtypur ngjarjen "real time", duke të ofruar dialogë tejet të rafinuar mes karaktereve në film, të kombinuar me fotografinë dhe regjinë.
Zakonisht, në filmat e viteve të fundit që janë prodhuar në Kosovë, e ku kryepersonazhet kanë qenë gra, ato janë mbingarkuar me dramacitet, viktimizim dhe frustrim gjatë dialogëve të tyre.
Përkundër arsyeve të shumta që Vera të jetë e frustruar për të thënë gjithçka, skenari i Bashës e lë atë të flasë përmes fjalive të përzgjedhura me kujdes. Kësisoj, si shikues, nuk ngarkohesh me shumë llaf. Je tamam në film, jo në ndonjë “reality-show” sikurse kanë qenë prirja ose rezultati i shumë filmave me tema të tilla.

2. Një det me përkthime regjisoriale

Vera punon si përkthyese e një komuniteti specifik. Rezistenca e saj, kryekëput kundër realiteti patriarkal, përkthehet përmes një narrative trilleri. Deti, të cilin Vera e ëndërron qysh në titull, në film përkthehet si ankth. Krejt ky ankth përkthehet përmes një shfaqjeje teatrore. Këto shtresa të shumta të komunikimit e bëjnë filmin më dinamik, pa pasur nevojë që dinamika të mbahet me adrenalinë. Regjia e Kaltrina Krasniqit është një koncept që e mirëmban mrekullisht historinë. Vendi ku bëhet dialogu, ose ku ndodhë një ngjarje e caktuar, mënyra se si janë vendosur personazhet, se si i flasin njëri-tjetrit, se nga cili kënd xhirohen, të gjitha janë të menduara për ta përkhyer skenarin në kinematografi. Ajo nuk i jep konotacion lokalist temës së filmit, por i vizuelizon në mënyrë të përkryer vendet e ngjarjeve që ndodhin. Pra e kupton se ngjarja po ndodh në Kosovë, por Vera mund të jetë e secilit vend tjetër në botë.

3. Kamera dhe aktorët janë udhërrëfyesit e tu në film

Aktorët kryesorë në film, Teuta Ajdini (Vera), Aleka Sylaj (Sara), Astrit Kabashi (Ahmeti), Refet Abazi (Basriu) dhe Ilire Vinca (Fatimja), nuk janë aty vetëm për të aktruar në personazhet e tyre. Atyre u ndodhin histori dhe përmes tyre ndërtohen ngjarjet në film, por, me lojën e tyre, ata të udhëzojnë ose të drejtojnë te të kuptuarit e rrëfimit.

Nuk ka tentime patetike për të treguar “se sa mirë aktrojnë”, por kujdesen që, përpos aktrimit të tyre, ti të kuptosh se çka po ndodh. Duke hequr dorë nga ideja e “aktrimit” si një tentim për ta arritur efektin e “sureales” së personazheve, aktorët shndërrohen në udhëzues emocionalë që ti t'i ndiesh sa më shumë nëpër ato që ata kalojnë. Këtë e ka kuptuar shumë mirë drejtoresha e fotografisë, Sevdije Kastrati.

Kamera e saj, përmes këndeve jashtëzakonisht të rafinuara të xhirimit, ofron një pikturë. Regjisorja e vlerëson këtë kreativitet të saj duke i lënë ato xhirime të marrin frymë në film. Duket sikur askush nuk është ngutur në procesin e krijimit të filmit. Fakti që janë nevojitur shtatë vjet për ta përfunduar, tregon shumë. Sidoqoftë, në kinema, papritmas kupton që filmi ka përfunduar më shpejt sesa pret. Kjo është e mrekullueshme, kur të ndodhë duke shikuar film.

Lajme të ngjashme