"Te Halimi": Pritje e gjatë për servim pule me shije të mire, por çmim enorm – libri i ankesave për ngritje kapele - NACIONALE

"Te Halimi": Pritje e gjatë për servim pule me shije të mire, por çmim enorm – libri i ankesave për ngritje kapele

3 vjet më parë

nga Burim Pacolli

Përveç nëse keni pauzë dyorëshe, "Halimi", përkundër përgatitjes dinjitoze të pulës, nuk doli të jetë opsioni më i volitshëm për ngrënie brenda një kohe të kufizuar. Qe pse.

Me lokacione në vende të ndryshme nëpër Kosovë (Prishtinë, Lagjja “Marigona”, “Abi Çarshia”, Ferizaj, Prizren), "Halimi" është njëri nga vendet më të parapëlqyera për ata që u pëlqen të hanë dhe të mbushen. Kur përmendet pula, fjala pasuese është “te Halimi”. "Halimi" është një personazh i njohur gastronom për shkak të recetës së përgatitur gati në mënyrë sekrete të pulës së pjekur.

Brendi në fjalë "e veçon veten nga konkurenca duke e ridefinuar shijen e pulës së pjekur me sosën special që ofron shije unike të recetave të pulës dhe që ngjall gurmandin në gjithkënd", siç shkruhet në uebfaqen e restorantit në fjalë, e që është për t'u vlerësuar, fillimisht, që ka një uebsajt informativ.

Shumica e restoranteve në Prishtinë i qasen në mënyrë gati primitive marrëdhënies me publikun. Mezi bëjnë ndonjë postim aty-këtu nëpër faqe të rrjeteve sociale, pa dhënë kurrfarë hollësish rreth historikut apo veçorive të shërbimeve që ofrojnë.

Në fakt, uebsajti i "Halimit" (tehalimi.me) është goxha informativ, teksa tek opsioni "rreth nesh" mund të gjesh paragrafë si "eksperienca", "misioni ynë" dhe "vizioni ynë".

Tek "eksperienca", thuhet se "prioritet për ne është niveli i shërbimit, ku mikpritja gjithmonë përcillet me pozitivitet". Të njëjtën ndjesi e pata edhe me t'u futur në lokalin e këtij restoranti në lagjen "Kalabria".

Hapësira e largësi të konsiderueshme mes tavolinave, që e bënin tejet komod vendin për të kaluar kohë më gjatë se që kishim planifikuar. Në fakt, gati ishe i detyruar të qëndroje më gjatë se që kishe planifikuar, pasi porosia u vonua saktësisht 22 minuta e 11 sekonda – bindshëm pritja më e gjatë e ndonjë ushqimi nga krejt përvojat e fundit që kam pasur nëpër restorante.

Kjo është arsyeja kryesore pse në kohë pauze do të mundohem që ta shmang për vizitë herën e ardhshme. Fute në ekuacion edhe vozitjen 7-8 minutëshe me trafikun e mesditës (nëse punoni në qendër të qytetit) nga lagjja “Pejton” në “Kalabri” dhe kemi një kohë prej vetëm 12 minutave për ngrënie e pirje, për pauzë standarde njëorëshe.

Sidoqoftë, “ngrohtësia” e ambientit, për të cilën flitet specifikisht në uebsajtin e “Halimit”, ishte njëmend e pranishme. Thjesht ndjenjë rehatie. Jo se në restorantet e tjera, që i kisha vizituar për përvojë në javët e fundit, kisha pranuar ndonjë pritje të keqe për përmendje, por këtu, te “Halimi”, falë edhe hapësirës dhe mënyrës së organizimit të saj, tundoheshe që të harxhoje më shumë kohë.

Dy minuta e dy sekonda pasi u ulëm në një tavolinë interesante, që ishte vendosur ngjitas me një mbajtëse verërash, ku qëndronin pesë shishe të llojit “Vranac”, u shfaq kamerieri për ta marrë porosinë.

Gjysmë pule porosita, njësoj si bashkëpjesëmarrësi – natyrisht, për atë kishim shkuar aty dhe nuk do të kishte logjikë ta porosisnim ndonjërën nga opsionet në meny; kaçkavall i fërguar, djathë, torator, speca me kajmak, speca me hudhër, pomfrit, sallatë e kombinuar, sallatë e gjelbër etj., të cilat janë përfshirë si ushqime përcjellëse me pulën, si specialiteti i vetëm I restorantit.

Për një çmim goxha të lartë prej 4,5 eurosh, sa kushtonte gjysmë pule (po, një pulë e plotë kushton nëntë euro), në tavolinë u vendos mishi i pjekur i shpendit, i marinuar me sos përmbi e përfundi.

Shija potente dhe e ridefinuar e pulës po vinte me një çmim marramendës për një përfaqësues të klasës punëtore në kohë pauze. Në fakt, atë që është përshkruar në faturë si “sallatë çobane” e porosita ekstra, për një çmim po ashtu goxha të lartë prej 3,4 eurosh. Vera e kuqe e hapur kishte një çmim prej dy eurosh për gotë.

Sidoqoftë, për atë sa mund të vlerësojë një person pa ekspertizë kulinarie, lehtë mund të them se ishte prej shijeve më të veçanta që i kisha shijuar nga një pulë së fundmi, ndoshta ndonjëherë, por prapë ishte e pamundur ta mbizotëronte për nga pesha në mendime çmimin.

Sallata, në anën tjetër, nuk ishte brenda suazave të së kënaqshmes, aq më shumë për një çmim prej 3,4 eurosh.

Qepë, djathtë, speca, tranguj dhe domate në një pjatë mesatare u shërbyen si më poshtë, derisa me pulë u sollën edhe dy kuleçë buke për dy persona.

Veçoria nga e cila karakterizohej restoranti “Te Halimi”, ishte libri për shkrimin e përshtypjeve nga klientët. I pozicionuar në hyrje, njëkohësisht në dalje të restorantit, një libër qëndronte i hapur, ku ishe i lirë të shkruaje komente për përvojën tënde. Dhe aty kishte komente nga më të ndryshmet.

“Pula shumë e mirë, fantastike”- shkruhej në njërin prej komenteve të një klienti që ishte ndarë i kënaqur me eksperiencën. “Kënaqësi me kunatin dhe burrin”- shkruhej në një tjetër.

“Ushqim super, a era e restorantit tmerr, urgjent naj aromë”- shkruante i treti.

Sidoqoftë, absolutisht për respekt ideja e vendosjes së një libri të tillë për t’i ndarë përvojat e sinqerta për kohën e kaluar brenda restorantit. Megjithatë, mungonte stilolapsi në raftin e vendosur ku qëndronte libri. U desh ta gjeja njërin prej kamerierëve e t’i kërkoja një laps për të shkruar pak fjalë: “Pulë dinjitoze, pritje e gjatë. Për “review-in” e detajuar, lexone Nacionalen”.

Përshëndetje të ngrohta pasuan në largim e sipër, pasi pagova saktësisht 9,90 euro për gjysmë pule, një sallatë dhe një gotë verë.

Vlerësimi 3/5: Ambient mbresëlënës për shijen time. Tejet komod për të kaluar kohë. Çmimi për gjysmë pule, tejet i lartë. Pritje shumë e gjatë për servim ushqimi, që është element shumë i rëndësishëm për kohë pauze njëorëshe. Shija e pulës, fantastike, megjithatë. Libri për t’i ndarë përvojat, prej gjërave më të mira e më kreative që i kam parë nëpër restorantet lokale. Nuk do të kthehem për ta vizituar përsëri shpesh (ndoshta, një herë në 4 - 5 muaj) për shkak të çmimit të lartë dhe pritjes së gjatë.

Lajme të ngjashme