‘Sinan Vllasaliu është mbreti i muzikës shqipe’: Interneti mbeti gojëhapur nga koncerti i mbrëmshëm - NACIONALE

‘Sinan Vllasaliu është mbreti i muzikës shqipe’: Interneti mbeti gojëhapur nga koncerti i mbrëmshëm

3 vjet më parë

nga Burim Pacolli

Nata e dytë e Vitit të Ri u përcoll me koncert të Sinan Vllasaliut në Klan Kosova, dhe ishte një që ka impresionuar masën, e drejt të themi.

Vllasaliu konsiderohet një ikonë absolute e skenës muzikore shqiptare, derisa karrierën e filloi në vitin 1989, ndërsa paraqitjen e parë skenike e pati më 1986 kur për herë të parë mori pjesë në festivalin “Okarina e Artë”, duke u shpërblyer me vendin e parë me këngën “Kthehu oj rini”.

Së këndejmi, gjithçka ka shkuar vetëm lart e më lart për të.

Adaj, paraqitja e tij në Klan Kosova natën e dytë të Vitit të Ri, u përcoll me entuziazëm e emocione të shumëta nga audienca.

Pas këngës hapëse, shpërthyen duartrokitjet, me Vllasaliun që u shpreh: "Faleminderit shumë. Mirëmbrëma dhe mirësekeni ardhë", për ta percjellur me një "natën e mirë se na e kryjtëm", derisa iu drejtua daljes duke qeshur.

Në një tjetër episod qesharak, ai vazhdoi duke thënë "do të mundohemi të mos gabojmë se jemi playback", para se të fillonte performimin e këngës "Dudije".

Kështu, Vllasaliu po bënte atë që di të bëjë më së miri para qindra të pranishmëve, të cilët po e shihnin ikonën e muzikës folk duke performuar këngët e tij më të famshme për një orë e gjysmë, në sfond me bendin që përbëhej nga kitaristë, baterist, një luajtës kontrabasi, pianist, violinist e kor përcjellës.

Ai solli në skenë edhe këngëtaren Nora Istrefi, me të cilën shkëmbyen lavdata, derisa Vllasaliu e cilësoi këngën me të si "një ndër këngët më të mira të karrierës sime", duke elaboruar në "Pa Fat", e cila ishte publikuar dhjetë vite më parë.

Pasi kreu punë me Norën, ai tutje vazhdoi me këngë të tjera, duke sjellur në skenë herë pas here edhe bashkëpunëtorë të së kaluarës.

Gili u shfaq për "prapë se prapë", të cilën absolutisht po e shijonte turma e pranishme dhe, marrë parasysh reagimet në rrjetet sociale, edhe audienca që po e përcillte nga shtëpia përmes ekraneve televizive.

Pas pak më shumë se një ore performance, Vllasaliu braktisi skenën gjigante për t'u ngjitur shkallëve e për të sjellë një grumbull fëmijësh për të performuar "babi pse brengosesh", këngë e publikuar në vitet e 90-a.

Ishte një moment emocional, derisa vepra vjen nga një periudhë jashtëzakonisht e dhimbshme për historinë e popullit kosovar, ndërkohë që kamerat fokusohen edhe te e bija dhe gruaja e Vllasaliut, derisa shikojnë të emocionuara.

Me nga një falënderim për secilin pjestarë të bendit ai e mbylli natën, ndërsa në Facebook nxiti reagime të shumëta.

"Ju kom thanë që Sinan Vllasaliu është Range Rover për estradën shqiptare", shkroi një komentues.

"Mbetet mbreti, zotni po, super vokal po, artist i lindur po, repertoar perfekt po, shqiptar i mirë dhe prishtinali po. Na ke kënaq sonte", shkroi një tjetër në rrjetin social.

Ish-deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Bardhyl Meta pati po ashtu shumë për të thënë.

Shikoni më poshtë statusin e tij pa ndërhyrje:

"Sinan Vllasaliu…!

Kënaqësi me e ndëgjue sonte në koncertin e tij n’KlanArena - t‘përgaditur me shumë finesë nga KlanKosova e Florent Boshnjaku - me përcjellje të mrekullueshme prej orkestrës së përbërë nga instrumentistë të shkëlqyeshëm, të përzgjedhur me shumë e shumë finesë!

Një krijimtari unike dekadash…, e stërmbushur (spicë) me Hite t‘paharrueshme, tekste plot shpirt e përmbajtje, një kronikë që t’merr përdore dhe t’shetit ndër dekada të rënda Kosovare…, dhe natyrisht gjitherë…, këndimi unik…!

Bravo Maestro!

#SinanVllasaliu

#klankosova

P.S. Kënaqësi kur për orë e orë s‘je kurreshtar me shiqu ku është teledirigjuesi, por lutesh t‘zgjasë edhe më…"

"Sinan Vllasaliu, per mendim temin, eshte mbreti i muzikes shqipe. Qe 30 vjet ka mbetur i njejti: unik ne kendim e sharmant ne pamje❤. Nuk sarrakuqet ka te kendon live, po i perjeton tekstet. Pak me qat Facebook e tepron, tu i postu do foto te "cuditshme"😀, po eshte legjende e gjalle", shkroi një tjetër.

Lajme të ngjashme