Më përpara do ta shikonit këtë mur me orë të tëra apo programet kosovare të Vitit të Ri? "Mjeranë"
Përreth vendit nata e Vitit të Ri mori këmbët me festë e programe televizive, që nuk duket se dallojnë shumë apo përditësohen nga vitet e mëparshme - tema e ankesa të njëjta çdo vit, por çka realisht duhet të ndryshohet?
Kjo duket të jetë një pyetje përgjigja e së cilës, nëse gjendet, zgjidhë krejt situatën.
Ndoshta, pjesa më e madhe e përgjegjësisë për të gjetur problemin u takon profesionstëve që merren me përgatitjet e emisioneve festive, pasi kanë një vit të tërë kohë reflektimi mbi pikat për adresim për të evituar të mërzitshmet e përvitshme, përfshirë edhe ato që pamë nëpër kanalet tona televizive natën e mbrëmshme.
Absolutisht të mërzitshme dhe po mendoja mos jam thjesht unë, por nga diskutime të rëndomta me familjarë, shoqëri e kolegë, kuptova se është nje temë goxha prezente edhe te të tjerët, pasi të gjithë duket se kanë qëndrime e mendime të krijuara tashmë rreth mërzisë që u shkaktojnë programet televizive për çdo 31 dhjetor. Një hulumtim pak më serioz ditën pasuese, (po, punojmë edhe më 1 janar) dhe mora vulën ndoshta më të rëndësishme se njëmend ajo me çka servohemi e u servuam mbrëmë natën e Vitit të Ri, është njëmend mërzi kolosale.

"Është goxha telash që kurrkush nuk e di se çka duhet me ndërru, as këta që i prodhojnë, as këta që i përcjellin, veç e dina që s'është mirë ose duhet ma mirë," - thotë fillimisht Halil Halili, producent në Nacionale.
"Nata e Vitit të Ri është festë diqysh, menoj që s'ki pse këqyrë me shpikë diçka pos muzike të mirë.”
"Hiç s'kisha ba kësi emisione që bajnë llaf. Kënd te vetsh, shumica kanë lypë me gjetë muzikë, me ngu t'u pi ose tu kcy".
Në fakt, duket se është përtej muzikës së mirë dhe eleminimit të llafeve, siç thotë Halili, derisa producenti i kahershëm, Orhan Kerkezi thotë se e ka parë vazhdimisht të njëjtën storie nëpër programet televizive natën e Vitit të Ri në "20 vitet e fundit".
Një për mbamendje, po veç një e mbaj mend si pak më ndryshe nga klishetë e përvitshme festive, është ajo e vitit 2014 kur prezantuesi Labinot Gashi kishte organizuar atë që e quante "Op Labi Party", ku shihja figura të njohura nga skena muzikore si Dafina Zeqiri, Ledri Vula, Dhurata Ahmetaj e Ryva Kajtazi, duke kryer veprimtari të cilat ishte njëmend interesante t'i shihje. Estrada mblidhej në fshat dhe piqnin flija, milnin lopë e performonin akte të ndryshme tradicionale. Së këndejmi, gjithçka ka qenë mërzi ekuivalente me shikimin e një muri për orë të tëra.
Regjisori dhe profesori i Fakultetit të Arteve, Orhan Kerkezi, vazhdoi me ashpërsinë e tij me programet e Vitit të Ri.
“Mungon shumë, ama tepër u mungon kreativiteti”, u shpreh ai pasi mezi e bëra zemrën guri ta telefonoja dikë mëngjesin e parë të vitit 2023 për ta pyetur “çka po u mungon organizimeve festive të televizioneve kosovare”, nën theksin e veçantë të mërzisë që po na sjellin.
Tutje, Kerkezi madje potencoi se nëse vazhdohet me këtë hov, televizionet do ta kenë fatin e njëjtë si atë të gazetave të shkruara, e që është shuarja nga ekzistenca, pasi po bëhen “të padobishme duke bërë më së miri atë që më së paku është e dobishme”.