“Shuni, shuni”: A janë debatet në Big Brother në Kosovë më “low” se ai i Shqipërisë shkaku i gjuhës? - NACIONALE

“Shuni, shuni”: A janë debatet në Big Brother në Kosovë më “low” se ai i Shqipërisë shkaku i gjuhës?

3 vjet më parë

nga Burim Pacolli

“A nirthte?” po e pyeste Hashim Thaçi homologun e tij Edi Rama në atë që quhej “takim historik” më 2014, për hutinë e këtij të fundit që s’po e kuptonte çka po i thuhej. Dallimet në komunikim shkojnë duke u theksuar në bashkëbisedime tjera jo formale mes shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë. “Big Brother” është shembulli i freskët.

Në fakt, gjithmonë kam pasur ndjesinë se mënyra e të komunikuarit mes shqiptarëve të Shqipërisë është më konfrontuese, më direkte dhe më nxitëse për grindje – jo për nga tendenca por për nga kultura e të folurit.

Ishte interesante të shihje një banore të “Big Brother VIP Kosova” (BBVKS) nga Shqipëria që po ankohej se tentativat e saja për të diskutime apo sqarime, gjithmonë përcilleshin me qetësi nga pala tjetër (prej taborrit kosovar) të cilës ajo po i drejtohej. Po e thoshte këtë pas akuzave për “jo aktivitet” të saj në shtëpi.

Dhe, këto aludime mund të argumentohen nga plot raste të zhvillimeve brenda shtëpisë, derisa ajo mund të jetë “viktimë” e një kultureje tjetër komunikuese në Kosovë.

Në natën e fundit “Prime” të “BBVKS”, njëra prej ish-konkurrenteve, tashmë e eliminuar, Shota Baraliu takohet me një banor tjetër (Artan), po ashtu nga Kosova, për t’i dhënë zarfin që e dërgon direkt në nominim.

Në një komunikim të çuditshëm, marrë parasysh rrethanat në të cilat bëhet, të dy e komplimentojnë njëri-tjetrin, derisa Artani largohet pasi përqafon dhe tregon “respekt” për Shotën, në një episod që më shumë ngjason me dhënien e zarfit për imunitet se sa për eleminim.

Gati nuk ka nevojë për dokumentim të mëtutjeshëm, çka do të ndodhte sikur të njëjtat zhvillime do të zinin vend në shtëpinë e “Big Brother” në Shqipëri…

Debate absolutisht të zjarrta kishte natën e kaluar në “Primen” e spektaklit shqiptar, derisa nuk u kursyen as opinionistët, të cilët u desh të luftonin për dinjitetin e tyre publik për shkak të llojlloj akuzave që po u vinin nga brenda shtëpisë.

Për dallim nga Kosova, në anën tjetër, ku ekziston një tendencë e theksuar për të respektuar pozitat “hierarkike” në rolet që kanë. Po flas për banorët që janë brenda shtëpisë, pasi një përplasje ish-konkurrent dhe opinionist tashmë e kemi pasur në formën e Olti Currit dhe çiftit Alisa-Urim.

Sidoqoftë, nuk janë të rralla as rastet kur banorët që janë brenda shtëpisë në Kosovë ngrisin dorën dhe pyesin “a bën me folë?”, para se të marrin fjalën, ndërsa ata në Shqipëri janë krejtësisht spontan dhe nuk e kanë problem të argumentojnë e të debatojnë vazhdimisht për atë çka ata besojnë se është e drejtë mbi tjetrin – pa marrë parasysh kush është i përfshirë.

T’u hedhim një sy pak pamjeve të mëposhtme.

Ouch… kryeministri shqiptar “pjekë” një fëmijë se i solli lule, derisa nga shfrenimi i tij verbal e pësuan edhe prindërit.

Vështirë ta imagjinojmë ndonjë kryeministër nga Kosova, nga krejt ata që ishin deri tash dhe ky që është, duke reaguar kështu. Jo për ta denigruar këtë të Ramës, por thjesht sa për të hedhur dritë mbi mënyrën komunikuese mes dy vendeve me nacionalitet të njëjtë. Natyrisht, në përgjigjen e Ramës mund të ketë indikacione tjera që mund të kenë luajtur rol nga koha e diktaturës kur liderit i dhuroheshin lule, por mënyra e të shprehurit të Ramës mund të jetë paksa gojëhapës për kosovarët edhe në raste të tjera.

Te kosovarët ekziston një intuitë e vazhdueshme për t’u kursyer nga ndjesitë e fjalët e tepërta, sidomos në shfaqje publike – apo kur janë të përfshirë persona të tjerë që jo rrallëherë etiketohen si “jabanxhinj”. Kujdesi për ndonjë rrëshqitje potenciale të gojës apo shprehja e ndjesive të vërteta, kur ato mund të mos jenë shumë të kënaqshme për palën tjetër, gjithmonë është aty dhe prezencë e fuqishme në praninë e “jabanxhinjëve”.

Beka, ish-banor i “Big Brother Vip Kosova”, vazhdimisht u kërkonte konkurrentëve tjerve tjerë të uleshin ose të heshtnin, kur bëhej fjalë për ndonjë ngritje në këmbë, grindje apo reagime spontane emocionale – ishte pasqyrim perfekt i jetës së një fëmiu të rëndomtë kosovar. Tutje, ai madje shpesh thoshte “shuni, se n’Big Brother jemi”, kur debati kishte tendencë të eskalonte me verbalitet agresiv.

A mund të ndodh që njëri dialekt të ketë tendencë për të prodhuar më shumë grindje?

Kjo është pyetja të cilën ia parashtrova linguistit kosovar, Rrahman Paçarizi.

“Hmm pikëpamje interesante. Keshtu vetë gjuha, nuk kam lexu se mund te krijojë parakushte te tilla. Edhe vetë shpejtesia e të folurit varet nga temperamenti i folësve të qasaj gjuhe. Për shembull gjuhët mediterane (neolatinet) fliten më shpejt pasi folësit janë më temperamentë. Më veriorët kanë ritëm më të ngadalshëm. Ndoshta mund të shikohet kështu dhe në këtë kuptim ka dallime. Tani, nëse këto tipare krijojnë parakushte për grindje, edhe mund te analizohet pse jo. Por që vetë gjuha si e tillë me pasë parakushte, nuk po e mohoj se nuk e kam hasë diku, por po më duket më e vështirë”, më tha Paçarizi.

Valentin Beiqi, një kosovar që studion në Tiranë, thotë se rastësisë vazhdimisht në diskutime mes shqiptarëve të Shqipërisë të cilat janë normale por atij i japin ndjesinë e grindjes.

“Më duket që po. Toni me të cilin folet toskërishtja dhe fjalët janë me bë debate. Edhe kur duhen kaniherë më duket se po grinden”, më tha ai.

Gresa, shqiptare nga Kosova që është në lidhje me një burrë nga Shqipëria, thotë se e kishte tejet të vështirë komunikimin në fillim me familjarët e të dashurit, pasi dallimet në mënyrën e të komunikuarit krijonin situata të sikletshme.

“Në fillim mu doke mungesë respekti mënyra si më folshin. Dukej sikur me tendencë e prapavijë, por eventualisht e kam kuptuar se është thjesht mënyrë komunikimi. Mirëpo, kjo ishte e dyanshme, edhe ata nganjëherë ndiheshin ndoshta të ofenduar nga një fjalë apo fjali e imja që në Kosovë përdoret gjatë tërë kohës me pranim gjeneral”, thotë ajo.

Studiuesi i filozofisë dhe njëkohësisht kryeredaktori i Nacionales, Jetlir Buja është i bindur se një dialekt ka tendencë të rris gjasat për grindje në diskutim e sipër.

“Natyrisht se po. Gjuhët janë produkte të kulturave e historive, dhe si të tilla përmbajnë dallime nganjëherë thelbësore me njëra-tjetrën. E dallojnë edhe dialektet brenda një gjuhe. Por, dallime ka edhe në mënyrat individuale të përdorimit të gjuhës. Dikush ka fjalor më paqësor se tjetri. Ose ka mënyrë më paqësore të të folurit. Ose zë më të butë. E të tjera! Nëse pyetja jote është më specifike: a dallon gegnishtja prej toskërishtes? Atëherë, përsëri përgjigja është PO", thotë Buja.

Më të rralla i kemi edhe paraqitjet në bikini për shfrytëzim xhakuzi, saune apo pishinë te BBVKS. Veshjet e larjes shpeshherë janë bërë edhe temë diskutimi mes banorëve për sikletin që u shkaktojnë në praninë e kamerave, derisa edicionin e kaluar të Big Brother Vip Shqipëria, paraqitja e banorëve në bikine të çfarëdollojshme ka qenë e zakonshme të shikohej gati çdo ditë.

Kujdesi i theksuar ndaj “jabanxhinjve” dhe ruajtja e qetësisë në raste të caktuara për hir të “respektit” në Kosovë dhe tonaliteti i shtuar për të shprehur ndjesitë e sinqerta të përbrendshme në Shqipëri, po e bëjnë “Big Brother”-in e kësaj të fundit më interesant të shikohet.

Lajme të ngjashme