Shumë keqbërës po marrin foto vajzash kosovare dhe po i denigrojnë në TikTok
TikToku është platforma kineze në internet që ka marrë flakë sa i përket popullaritetit, por jo gjithçka dhe çdo gjë që publikohet në të ndërlidhet me qëllime edukative dhe vetëdijësuese - shpesh gra e burra bien pre e sulmeve denigurese nga keqbërësit.
Gratë, më së shumti të moshave të reja e shpeshherë madje edhe të mitura, e kanë gjetur veten të ekspozuar ndaj bullizmit, denigrimit apo edhe sulmeve virtuale në rrjetin social në fjalë.
TikTok-u është lloj i veçantë i ‘drogës’ që shkakton vartësi të frikshme te përdoruesit, derisa audienca kosovare nuk bën përjashtim.
Në fakt, mënyra si TikTok-u asociohet me publikun kosovar, në të shumtën e rasteve është duke ekspozuar materiale e karakterë problematikë dhe në anën e kundërt të asaj që e quajmë “edukative”, më e pakta që mund të themi.
Sidoqoftë, kjo platformë dhe qasja gjithëpërfshirëse në të, mund të shërbejë edhe për gjetjen dhe ekspozimin e keqbërësve.
Me t'u zbuluar identiteti i përdhunuesve të 11-vjeçares në Dragodan nga katër persona, Nacionale ka publikuar materiale të të dyshuarit Ekrem Rexhepi, 26-vjeçar, në TikTok, i cili shihet duke bërë vozitje të vonshme e të hershme pikërisht në lokacione që i ngjasojnë atij që është përshkruar nga Prokuroria.
Derisa teknologjia evoluon, bullizmi në internet duket i destinuar të vazhdojë në përhapje e përmasa shqetësuese.
21-vjeçarja nga Malisheva me inicialet D.Z, ka zbuluar për Nacionalen si e kishte përjetuar bullizmin në TikTok, kur i kishin publikuar një foto me etiketimin "k**".
"Si në ankth rrisha, çka po qesin, çka po qesin..." thotë ajo.
"Vëllezërit e mi e kanë pa (postimin), dojshin me çu në polici. Në një rast tjetër, një gruaje (të afërme) të martuar me fëmijë, i pat nxjerr telashe një rast i tillë. Tani u pat shkru faqeve me i hjekë", shton ajo.
Sidoqoftë, D.Z dhe "gruaja e martuar" të cilës i referohet ajo, janë vetëm dy prej shumë rasteve që kanë rënë pre e keqbërësve në TikTok.
Më poshtë, në platformën e lartpërmendur, mund të shihni foto të printuar nga videoja që ende është e disponueshme për publik, të një vajze, e cila shihet e ulur në nj kolltuk dhe duke pozuar, ndërsa mbi të shihet shkrimi "Blerta rr**pia".

Me shumë gjasë, fotoja duhet t'i jetë marrë "Blertës" në fjalë nga një prej platformave të rrjeteve sociale, e cila pastaj është përdorur për qëllime të tilla absolutisht neveritëse.
Nëse kjo mendoni se është e tepërt, hidhni një sy asaj që po ndodh më poshtë.
Një shfrytëzuese e Instagramit ekspozohet në TikTok, derisa ballinës së llogarisë së saj i është bërë 'screenshot', dhe mbi të është shkruar: "Kto jon k**vat që ta lujnë rolin e moralshëm" dhe "lexone n'bio ça ka qitë k**va se na fëlliqën fenë", por me një mori gabimesh drejtshkrimore, të cilat unë nuk munda t'i shkruaj pa ndërhyrje.

E në bion e viktimës në Instagram, të cilës i referohet dhunuesi, shkruhet: "Allahu i do ata që mbësteten tek ai". Kaq shumë toksicitet e denigrim publik, për një frazë personale që nuk dëmton askë.
Në një tjetër postim në TikTok, madje nuk ka shpëtuar pa e pësuar edhe vëllai potencial i atyre të cilat dhunuesi virtual i quan "k**va".
Në foton e publikuar, shihet një burrë në të 20-at, derisa qëndron mbi një makinë - foto që sigurisht po ashtu është vjedhur nga ndonjë llogari në rrjetet sociale të personit, i cili është shndërruar në cak të keqbërësve.

Mbi foton e tij, shkruhet: "Xhaferi krenar me motra k**va", derisa me kalimin e sekondave brenda videos, shfaqet një foto tjetër, ku shihet një grua në të 20-at, me shkrimin: "Ndërkohë, krenare me motrën k**vë". Oh Zot i madh, diçka seriozisht nuk është në rregull me disa pjestarë të shoqërisë tonë.
Foto, video e materiale të tilla mund të gjeni me bollëk në TikTok dhe jo vetëm.
Çka thotë policia?
Epo, gjërat nuk duket se janë shumë, shumë mirë sa i përket masave dhe mekanizmit mbrojtës për viktimat e bullizmit në internet.
Zëdhënësi i policisë së Kosovës, Daut Hoxha në një bisedë telefonike më tha se rastet e tilla janë tejet sfiduese për shkak se publikohen nga adresa dhe lokacione të ndryshme edhe përtej Kosovës.
Në një email tjetër zyrtar, Policia e Kosovës thotë se "rastet evidentohen ashtu siç janë të përkufizuara (veprat penale) sipas kodit penal të Republikës së Kosovës".
Në një përgjigje gjenerale dhe jo specifike në lidhje me pyetjet që janë dërguar sa i përket dukurisë në fjalë, Policia potencon se "në vendin tonë përdorimi i internetit është mbi 95%, në raport me numrin e popullsisë".
"Si rrjedhojë, hapësira kibernetike vazhdon të jetë ambient i përshtatshëm për keqbërësit për kryerjen e veprave të ndryshme penale duke përdorur mjete dhe programe kompjuterike të sofistikuara”.
Hmm, epo, nëse “mjetet dhe programet kompjuterike të sofistikuara” nënkuptojnë hapjen e një llogarie në TikTok dhe pastaj denigrimin publik të palëve të dyta, atëherë paskemi të bëjmë me një popullatë të tërë ekspertësh kibernetikë.
Sidoqoftë, në mungesë të statistikave e qasjes direkte ndaj problemit nga policia, secili prej nesh duhet t’i mbajë gishtat kryq dhe t’i lutemi ndonjë fuqie jo njerëzore që të mos jemi ne viktimat e radhës.

