'Sehiret' në popkulturë: Rrëfimi bizar i një gruaje që mendonte se i kanë bërë 'sehire' nuses, dy ditë pas martesës - NACIONALE

'Sehiret' në popkulturë: Rrëfimi bizar i një gruaje që mendonte se i kanë bërë 'sehire' nuses, dy ditë pas martesës

1 vit më parë

nga Burim Pacolli

'Sehiret' po dalin të jenë fenomen që merret goxha seriozisht në popullin kosovar, madje një që hapë rrugë për zhvillimin e një biznesi të ri fitimprurës, siç është 'shëndoshja prej sehireve'.

'Sehiret' kanë qenë duke trazuar familje si ideologji, prej që e mbaj mend veten. Absolutisht traumatike ishte për mua si fëmijë teksa po mësoja për ekzistencën e njerëzve që vendosin gërshërë nën prag dere me qëllimin e vetëm për të më bërë keq mua e familjarëve pa ndonjë bazë solide arsyeje.

Sidoqoftë, në rritje e sipër e kupton se gjërat e tilla janë pjesë e një kulture primitive, që nënvizojnë mungesë emancipimi e edukimi. Sa më shumë që largohesh nga Kosova, aq më pak dëgjon për 'sehire'. Ta zëmë, nuk do të ishte shumë e kuptimtë të pyesnim një gjerman apo zvicëran për 'sehire', edhe pse sigurisht se duhet të ketë ndonjë lloj emërtimi tjetër, pak më me shije për magjinë e zezë në popujt perëndimorë.

Rrëfim bizar 'sehiresh'

Z.M, 67-vjeçare nga nje fshat i Komunes se Klinës, kishte martuar djalin e saj të vetëm këtë verë. "Gëzimi ma i madh në jetë", thotë ajo teksa shpjegon ditën kur djali iu martua. Por, dy ditë pas dasmës, atmosfera dhe disponimi ishte larg të qenurit i hareshëm. "Rejën, nusën e djalit ia nisi me lëshu trupi, nuk mujke me u çu n'kam të veta", shpjegon ajo, teksa nuk dëshiron të tregojë identetitin.

"Djali po ma bon, mo se na bon horë", rrëfen tutje. Shëndeti i nuses së djalit për Z.M-në ishte shqetësues.

"S’dishin çka ka, unë isha e bindur qe i kanë bo 'sehire'", thotë ajo.

Pa e ditur djali, Z.M-ja e kishte thirrur një "grua nga Fushë Kosova".

"Krejt gratë e katunit m’thojshin që qajo ia gjenë çaren", thotë ajo.

"Gruaja e Fushë Kosoves" është një falltore që ka "specializim" me largu 'sehiren' dhe me gjetë se kush ka bo 'sehiren'. Po, po. Po flasim për nivel tjetër gjurmimi e gjuetie për gjetjen e të këqinjve dhe shkatërrimin e tyre. Së paku kështu beson Z.M-ja e cila kishte shkuar tek ajo me një këmishë te nuses së djalit. Sepse kaq mjafton për ta çrrënjosur të keqen që po e shqetësonte nusen vetëm dy ditë pas martesës.

"Ajo m'tha që nuses i ka bo dikush 'sehire', dikush brenda i familjes". Gruaja e Fushë Kosovës, e kishte "stërpikë këmishen me do ujë" si "terapi" për ta hequr sehiren e synit të keq. Por, teksa "terapia" nuk funksiononte, situata brenda familjes tensionohej. Kush ishte personi që i ka ra mësysh nuses?

Metodologjia e implementuar nga "gruaja e Fushë Kosovës" për ta larguar "sehiren" është absolutisht brilante, dorën në zemër. Ajo realisht ka marrë një këmishë të nuses të cilës pretendohej se i është bërë 'sehire' dy ditë pas martesës, mbi të cilën ka hedhur ujë (e mbinatyrshmja e di çfarëlloj uji i bekuar mund të ketë qenë) për ta shëndoshur nusen nga problemet shëndetësore.

"Nja dy javë ditë boll stres në shpi se diqysh nana ish e bindur që dikush në shpi i familjes ka bo sehire," thotë B.M, 38 vjeç, djali i saj.

Tek pas dy jave, një test i gjakut do të zbulonte arsyen e "sehires". Nuk ishte askush i familjes. Ishte mungesa e gjakut.

"Nusja thjesht dul që ka mungesë të gjakut dhe anoreksi", thotë ai.

Tash nusja është mirë. Terapia mjeksore i ka ndihmuar në kthimin e gjakut dhe oreksit.

"Veç nana hala mendon që sehire u kon hahahah", thotë ai duke qeshur.

'Sehiret' shkojnë viral

'Sehiret' e kohës moderne kanë qenë pjesë e diskutimit publik në plot raste, falë edhe benefiteve që sjellë teknologjia në evidentimin e rasteve që tash kanë mundësi të shkojnë viral me një xhirim amator.

I tillë ishte edhe rasti i vitit 2019, kur u publikua një video në YouTube me titullin "plaka i ben sehire nuses në dasëm".

Në pamje shihet një grua e moshuar derisa kërcen prapa një vargu grash të kapura për duarsh dhe pret momentin që përballë të ketë njërën prej grave.

Me t'iu afruar, plaka shkon dhe i bën rrotullime duarsh e ia prek flokët, para se të kyçet në valle, për befasinë e vajzës e cila shikon e habitur.

Videoja kishte shkuar viral. Aktualisht ka 119 mijë klikime, derisa në një video tjetër me titullin "flet gruaja që u akuzua për sehire", gjërat marrin përmasa edhe më bizare.

Në video shfaqet e moshuara që ishte pretenduar se kishte bërë 'sehire', së bashku me 'viktimën', të cilën thotë se e ka "çikë të vllaut" dhe se ahengu ku është bërë videoja "nuk ka qenë kanagjegj, por ka qenë dasëm". Sikur kjo e ka ndonjë lloj rëndësie apo peshe që ndryshon pretendimet e opinionit publik.

"Selam Alejkum. Unë jom ajo plaka që m'kanë akuzu për 'sehire,'"- thotë ajo në fillim të videos.

"Ky o një lajm i rrejshëm. Jena konë n'dasëm, nuk jena konë në kanagjegj. Kjo o çika e vllavit, nuk o nusja. Le ta kallëzoj të vërtetën", thotë ajo në video, për t'i lëshuar rend shfajësimi vajzës që e ka në të majtë.

E kjo e fundit krejt çka thotë është: "Selam alejkum, unë jam çika e vllavit t'ksajna. Këtë e kam hallë. Jo që kam naj sëmundje, najsend. Elhamdulilah, mirë jam. As që dyshoj te kjo".

Pastaj merr fjalën përsëri e moshuara, duke shtuar: "Ma kanë hupë besimin në familje. Zoti është dëshmitar".

Se 'sehiret' janë fenomen tejet i rëndësishëm dhe që merret seriozisht në kulturën kosovare, u binda edhe nga reagimi i hoxhallarëve dhe sociologëve kur i telefonova për të biseduar rreth temës.

Arsyetimi i tyre i përbashkët është se u duhet kohë për të kthyer përgjigje, pasi "është temë e ndishme". Qëndroni të kyçur me Nacionalen për të kuptuar më shumë rreth 'sehireve''follow-upin' që do t'i bëjmë gjatë ditëve në vazhdim me akterë të tjerë.

Lajme të ngjashme