Rreth albumit ‘Muzikë me Qalldis’: Kresha e Lyrical Son bëjnë mirë ta lënë me kaq për një kohë - NACIONALE

Rreth albumit ‘Muzikë me Qalldis’: Kresha e Lyrical Son bëjnë mirë ta lënë me kaq për një kohë

3 vjet më parë

nga Burim Pacolli

Albumi i ri i Kreshës dhe Lyrical Son, "Muzikë me Qalldis", me të ftuar si Dafina Zeqiri, Kreshnique, Lumi B, Semiautomatic, Lluni dhe Ermal Fejzullahu, është larg të qenurit ai që do të prisja nga kjo dyshe dhe, ashtu siç e kisha parashikuar, bie në koshin e mediokritetit dhe klisheve tashmë të stërdëgjuara nga të njëjtit.

Në album janë përfshirë 11 këngë, gjë që po e vlerësoja, edhe pse nuk isha ankuar fare nga shfrenimet (në kuptimin pozitiv) të kësaj dysheje në albumet 10/10 me nga 25 këngë si “PërInatiNjaniTjetrit”, “Air Force 1”, “ZimaSamShevy” e “Emceeclopedy”, jo edhe aq ato që vijnë tutje. Duhet thënë se nga tre albumet e fundit, “United States of Albania” është ai ku, pas së cilit, besoj se kjo dyshe është dashur të qëndrojë e heshtur për një kohë.

Të paktën derisa të gjenin mënyra të reja shprehëse. E bënë në mënyrë absolutisht brilante atë rreth jetës së rrugës dhe sfidave që përcjell ajo, ani pse gjeneralisht vendosëm të injorojmë elementin e kredibilitetit dhe autenticitetit rreth tyre. Sidoqoftë, prapë këta tre albumet e fundit janë më të mirë se gjithçka tjetër që kemi dëgjuar nga artistët tuaj të preferuar sa i përket albumeve në vitet e fundit, ndoshta me përjashtim të Butës dhe Dafina Zeqirit, “Verë Dimër” respektivisht “Dafinë Moj”.

Qe çka mendoj për këngët e albumit, i cili ka një kastë muzikantësh të talentuar, derisa eksplrohen pikat më të larta dhe të ulëta të projektit.

Hustle për Burek ft Lumi B

Kënga e parë e albumit dhe pak a shumë manuali për ndjesinë gjenerale të tij. Vargjet janë në rregull, asgjë për t’i shkulur flokët nga ngazëllimi. Lumi B këtu mbishkëlqen dy autorët e albumit, me disa metafora paksa më kreative.

Shottas n’BMW

Disponim që të kthen në kohë. Saktësisht në vitin 2010. Derisa Kresha ka disa momente impresive këtu, ‘flloWi’ është kryesisht demode. Lyrical Son ka bërë shumë pak përpjekje nga albumi në album të vijë me zëra e melodi më të zhvilluara nga ato që ia kemi dëgjuar nga e kaluara, për dallim nga Kresha i cili ka bërë hapa kolosal të sjellë risi sa i përket mënyrës si qëndron mbi taktet e instrumentalit.

Stuse ft Dafina Zeqiri

Kënga që më la ndjesi ‘cringe’, me elemente folk/tallava, derisa Kresha lëshohet në ato aventurat e tij në kërkim të mënyrave të reja shprehëse, por thjesht këtu kam ndjesinë se nuk i funksionoI. Megjithatë, duket një e tillë që ka potencial të të rritet përbrenda me kalimin e kohës dhe ta gjeni veten duke e dëgjuar sërish kohë pas kohe. Kresha impresionon në disa momente, por rrjedha e Lyrical Son ka nevojë për punë.

Thug Livin

Kënga më e mirë në album pa pikë dyshimi. Standardi në te cilin e mbaj Kreshën të performojë në secilën këngë. Performanca shumë e përafërt me ato me të cilat Kresha ka arritur të na bëjë përvete. Duhet thënë se askush nuk arrin t'i mbishkëlqejë Kreshën dhe Lyrical Son në këngët me përmbajtje romantike apo për dashuri të dështuara.

Jerëm

Një prej atyre të cilat nuk do të kthehem më për ta ridëgjuar. Nuk më la kurrfarë pështypje, as në aspketin permbajtësor e as në atë prodhues.

Krushqit me Maybach ft Ermal Fejzullahu

Eksperimentale, por në kuptimin negativ. Nuk do mend se kjo këngë mund te ketë një audiencë të gjërë, të fiksuar pas saj, për shkak të përmbajtjes dhe tingujve po ashtu me elemente folk. Fut në ekuacion edhe Ermal Fejzullahun, dhe e kemi një produkt final me të cilin unë kam zero mishërim. Pavarësisht se pjesa e Kreshës është eksperiencë në vete, derisa shpalos aftësitë e tij absolutisht monumentale te MC-së, duke e ndërruar "fllowin" plot katër herë përgjatë pjesës së tij.

Maserati (ft Kreshique), Xhanëm, Diamant dhe Deshu realisht kanë mundur fare të mos përfshihen në këtë album dhe nota vleresuese nuk do të ndryshonte. Nuk mendoj se i kanë shtuar apo larguar vlera albumit.

Speca me G'z

Është në rregull, me paraqitje nga Lluni dhe Semiautomatic, me të parin që ben atë që bën gjithmonë, duke dhuruar metafora solide e të mirë menduara, por prapë e përforcon qëndrimin tim se ai thjesht ka nevojë të punojë me mënyrën si interpreton, pasi “fllowi” i njatrajtshëm, aty-këtu me ndonjë ndryshim në të shpejtën, i bëjnë shumicën e projekteve të tij të mërzitshme dhe me pak vlera ridëgjuese.

Nga 11 këngët në total, “Thug Livin” është e vetmja që e shtova në playlistën personale për ridëgjim.

Lajme të ngjashme