Robotët po vijnë: Cilat punë mund t'i shpëtojnë zëvendësimit nga Inteligjenca Artificiale - NACIONALE

Robotët po vijnë: Cilat punë mund t'i shpëtojnë zëvendësimit nga Inteligjenca Artificiale

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ekziston frika që inteligjenca artificiale do të lë pa punë punëtorët, por ekspertët besojnë që janë disa punë të cilat kompjuterët nuk do t’i marrin – të paktën jo edhe pak.

Prej nisjes së revolucionit industrial, ka pasur frikë se makinat e reja do të uzurponin punët e njerëzve. Për pjesën më të madhe të punëve, njerëzit ia kanë dalë mbanë. Por tash, thonë disa ekspertë, me Inteligjencën Artificlae në horizont, frika mund të bëhet realitet: robotët përnjëmend do t’i marrin disa punë që i kryejmë ne.

Një raport i muajit mars të këtij viti (2023) nga Goldman Sachs vlerësoi që Inteligjenca Artificiale që ishte e aftë të gjeneronte përmbajtje mund të kryente çerekun e të gjitha punëve që aktualisht kryhen prej njerëzve. Në Bashkimin Evropian dhe ShBA, gjente raporti, 300 milionë vende pune mund të humbeshin për shkak të automatizimit. Dhe një gjë e tillë mund të ishte e llahtarshme, thoshte Martin Ford, autori i librit “Sundimi i Robotëve”.

Nuk është se kjo do t’iu ndodh individëve, por që mund të jetë shumë sistemike,” – thotë ai. “Mund t’iu ndodhë shumë njerëzve, dhe krejt papritmas, potencialisht të gjithëve në të njëjtën kohë. Dhe kjo ka implikime jo vetëm për individët, por për gjithë ekonominë.”

Fatmirësisht, s’ka veç lajme të këqija. Ekspertët thonë që megjithatë ka edhe gjëra të cilat Inteligjenca Artificiale mund të mos i kryejë – detyra që përfshijnë cilësi specifike njerëzore, si inteligjenca emocionale, apo të menduarit e pazakonshëm. Dhe kalimi në role ku kërkohen këto cilësi mund të ulë shanset e të zëvendësuarit nga robotët.

“Mendoj që janë përgjithësisht tri kategori që do të jenë relativisht të izoluara në të ardhmen e afërt. E para do të jenë punët që janë krejtësisht kreative: nuk bëni punë formulore apo thjesht riradhisni gjërat, por vini me ide të reja apo ndërtoni diçka të re.” – shton Fordi.

Kjo nuk nënkupton se të gjitha punët që konsiderohen ‘kreative’ janë të sigurta. Në fakt, gjërat si dizajni grafik e artet vizuale mund të jenë mes të parave që do të zëvendësohen; algoritmat bazikë mund të çojnë Inteligjencën Artificiale që të bëhet mjeshtër në estetikë. Por, ka pak siguri kur vjen puna te llojet tjera të kreativitetit, thotë Fordi.

“...në shkencë dhe mjekësi e ligj... njerëzit puna e të cilëve është të vijnë me strategji të reja ligjore apo strategji biznesi. Mendoj që do të ketë edhe më tej një vend për qeniet njerëzore.”

Punët e dyta sipas tij janë ato ku kërkohen marrëdhënie të sofistikuara ndërpersonale. Ai bën me gisht kah infermierët, konsulentët biznesorë dhe gazetarët hulumtues. Këto punë, thotë ai, “janë ato ku vyen një i kuptuar më i thellë i njerëzve.”

Punët e treta të sigurta janë ato punë sipas tij ku kërkohet shumë mobilitet, shkathtësi dhe aftësi për të zgjidhur problemet në ambiente të paparashikueshme.

Punët si ajo e elektricistit, hidraulikut apo salduesit futen në këtë kategori.

Shkrimi fillimisht është botuar në BBC, dhe është përkthyer më pas nga Nacionalja.

Lajme të ngjashme