Restorantet| Crust n Crumb: Ngrënia këtu më dha vullnet për jetë, mezi pres ta rivizitoj
Koha të haja gjelbër dhe "Crust n Crumb" ishte rekomandimi i shumë rëndomëve të qytetit, prandaj, i stërngopur nga ushqimet e shpejta, përqafova idenë të gëlltisja diçka të cilën, pasi ta haja, nuk do të ndjehesha sikur në bark kisha hedhur një grumbull plehrash.
Mund t'iu japë një stimulim të shpejt energjie por, në rrugën e gjatë, ua katandisë sistemin duke iu bërë të ndiheni të plogësht, jo rehat dhe të penduar për zgjedhjet.
Eventualisht dhe potencialisht, madje, përfundoni duke hedhur në pikëpyetje zgjedhjet jetësore – nëse gruaja/e dashura me të cilën jeni tash është njeriu i duhur, nëse Kosova është vendi ku doni ta kaloni krejt jetën, apo nëse puna që jeni duke bërë aktualisht është e duhura për ju.
Me pak fjalë, krejt pikëpyetjet ekzistencale të mundshme? Pse? Epo, krejt për shkak të një tundimi momental për të ngrënë ushqim të pashëndetshëm. Jo më kot thonë “You are What you eat” (Ti je ajo çka ha), edhe pse po tingëllon paksa ‘cringy’ tash që po e lexoj për herë të dytë.
Sidoqoftë, të paktën sot, vendosa të bëhesha një me tokën. “Crust n Crumb” në praktikë është pasqyrim i ngritjes së një biznesi të vogël, duke u zgjeruar me kohën. E filluan si biznes familjar (burrë e grua) në një hapësirë me metrazh kioske, për të hapur një “restaurant të ushqimit të shëndetshëm” në Rrugën “Andrea Gropa”, në Prishtinë, që punon mes orëve 8:00 – 18:00 nga e hëna në të shtunën, ndërsa të dielën orari i punës, thotë faqja e tyre në Facebook, është mes orëve 9:00 – 17:00.
Brendësia e hapësirës karakterizohet me një gjërësi të konsiderueshme - një enterier kryesisht i bërë nga druri. Një shank që bie në sye me t’u futur të rrëmben vëmendjen.
Në sfond të arkatares mund të shihni kuzhinën ku përgatiten ushqimet e shëndetshme, ndërsa zgjedhja ime (pas rekomandimit nga punonjësja) ishte sallata e quajtur “Protein Desire” (çmimi €6.20), sanduiç pule djegës (3 euro) dhe një lang i krijuar atypëraty me shtrydhje që e quanin “carrot cure” (€2.80).
Plot 20 minuta pas porosisë, ja ku ishte lëngu i karrotës i freskët mbi tavolinë. E vendosur në një gotë mesatare, dhe me karrotë, portokall, xhenxhefil e limon si përbërës, kishte një shije të ëmbël, paksa të mrephtë nëse mund ta përshkruaj shijën me këto lloj etiketimi, ndërsa xhenxhefili i jepte një lloj ngrohtësie në shije. Kryesisht kisha ndjesi freskuese dhe gjallëruese.
Saktësisht 28 minuta e 48 sekonda pas porosisë në fillim, i ulur në tavolinat e vendosura jashtë e mbi të cilat shtriheshin plot rreze dielli, ja ku ishte pjata me sallatë dhe sanduiçi pikant i pulës.
Kur flasim për sanduiçin, flasim për një që përcillet nga një bukë gruri e bërë në shtëpi dhe shumëllojshmëri përbërësish të freskët. Mbushja mes pjesëve ksihte gjoks pule të zier, fasule të zeza, misër të ëmbël, piper të kuq dhe një përzierje të salcës “sriracha” dhe mustardës “Dijon”.
Aroma ishte jashtëzakonisht e këndshme, me krejt përbërësisht që i jepnin një teksturë mikse shijesh, nga e ëmbla në djegës, por që shkonin me njëra-tjetrën. Për më tepër, ngrënia ishte e lehtë, dhe me zero ngarkesa e rëndesash pas ngirjes.
Sallata, në anën tjetër, kishte një shije goxha komplekse për ta elaboruar.
Sallata dhe spinaqi kontribonin me freskinë dhe atë shijën e hidhur që i karakterizon, në të njëjtën pjatë ku rukolla e papërpunuar rrëmbente vëmendje me aromën pothuajse pikante.
Përveç këtyre që i përmenda, majadanozi dhe susami i zi gjithashtu gjenin përfaqësim, duke i dhënë shije delikate bimore enës. E unë po nidhesha më mirë me veten që sot kisha evituar një vakt me ushqim të shpejt i cili do të më bënte të hidhja pikëpyetje ekzistenciale.
Kërpudhat e pjekura me erëza shtëpiake më dukeshin sikur po i haja direkt të këputura nga toka (zero yndyrë). Në përgjithësi, kombinimi i shumë përbërsve i jepte enës një shije ekuilibruese me përbërës që ploësonin njëra-tjetrën.
Nga eksperienca e ngrënies mbeta i stërngopur, por jo I rënduar dhe vizitën e radhës e kam planifikuar qysh nesër.
Totali i faturës: €12.80
Vlerësimi 4/5: Absolutisht e rekomandoj si ushqim që do t’iu bëjë të ndiheni mirë me vetën më vonë. Ushqime me përbërës toke, të cilat dua të kthehem për t’i rishijuar.