Regjisorja zvicerane më la pa gojë me filmin për Instagramin - NACIONALE

Regjisorja zvicerane më la pa gojë me filmin për Instagramin

1 vit më parë

nga Burim Pacolli

Një film mbi Instagramin, të folurit mbrapsht me regjisoren për çdo lëvdatë.

Me Anibarin që ka marrë këmbët dhe aktivitetet e animacionet që nuk po ndalen së transmetuari gati në çdo cep të qytetit, tashmë kanë filluar të rrëmbejnë vëmendje filma të caktuar, të cilët spikasin pak më shumë se të tjerët - e i tillë ishte ai i regjisores Celine Ufenast, i titulluar "@scroll_alice".

Filmi u transmetua të enjten mbrëma në Kino Kubat, një ambient brilant i improvizuar nga organizatorët afër Kino Liqenit, i cili mbetet destinacioni më i veçantë i këtij festivali.

"@scroll_alice" ishte filmi i fundit që u transmetua në kategorinë e studentëve, nga tetë sosh sa morën pjesë në total.

Ishte një film tejet interesant që rrokte temë tejet relevante me situatën aktuale globale, siç është varësia nga Instagrami.

Filmi shtjellohet rreth një debati mes një burri dhe gruaje që flasin vazhdimisht mbi pamjet kompjuterike dhe editimet e fotove për postim në Instagram, derisa elaborojnë për mënyrat se si "Instagrami ua ka përmirësuar jetën", por gjithçka nënkuptohet si sarkazëm, humor i zi, apo edhe realitet i trishtë.

Të premten në mëngjes, derisa iu drejtova kino "Jusuf Gërvallës", takova regjisoren e filmit në fjalë, për të cilën e kuptova kush ishte krejt rastësisht.

Natyrisht, filmi më kishte lënë përshtypje jashtë mase një natë më parë dhe ishte mrekulli në vete fakti që po e takoja regjisoren tash personalisht (festivali edhe ashtu po ndjell 'besëtytni'), andaj nuk mund ta lëshoja pa i bërë ca pyetje.

"Filmi im ka të bëjë me Instagramin dhe për të jam inspiruar nga komunikimet me miqtë e mi rreth marrëdhënies që kemi me Instagramin", u shpreh Ufenast fillimisht.

Celine Ufenast është rritur në Zvicër, por u zhvendos në Mbretërinë e Bashkuar për të ndjekur shkollimin universitar dhe për të "ndjekur pasionin për animacionin".

Në qershor të vitit 2021, ajo kreu shkollimin për animacion në UCA Famham, derisa aktualisht po ndjek studimet master në King’s College në Londër.

Cili është mesazhi që pretendohet të përcillet me filmin?

"Më pëlqen ta mbaj ashtu pa mesazh të qartë, sepse njerëzit mund të shohin dhe të nxjerrin atë që duan. Disa njerëz e shohin si një parodi tejet qesharake, ndërsa të tjerë si një storie të trishtë dhe të zezë", tha tutje ajo.

"Mendoj se të gjithë kemi marrëdhënien tonë me Instagramin, na pëlqeu, s'na pëlqeu. Filmi shtjellon në idenë e të treguarit të diçkaje, por mendoni një gjë tjetër, pra të kundërtën. Karakteret thonë gjëra që duhet të jenë të mira, por përmes imazheve pastaj e kuptoni se nuk është e mirë.”

Çka pret nga Anibari?

"Për mua veç seleksionimi për një festival është fitore. Nuk ka të bëjë në të vërtetë për garën shumë. Fillimisht është kënaqësi të jem këtu, të udhëtoj dhe t’i bëj njerëzit të shohin filmin tim", u përgjigj Ufenast pasi e pyeta nëse synon të fitojë.

"Kjo është hera e parë për mua në Anibar. Më pëlqen shumë. Më pëlqejnë njerëzit, është ambient kaq i ngrohtë."

Anibari do të vazhdojë me transmetimin e filmave në kategori të ndryshme deri të martën, 19 korrik, kur edhe do të mbahet ceremonia e ndarjes së çmimeve.

Nata e dytë në Anibar u përcoll me filma fantastik te Kino Liqeni, ku - ndryshe nga nata e parë - tash kishe mundësinë të shihje nga varka gome mbi ujë atë që po shfaqej në ekranin e madh.

Filmi 'A Bite of Bone' ishte i pari që u shfaq në kinemanë përtej liqenit dhe njëherit që më la përshtypje më së shumti.

Një vajzë e vogël reflekton mbi verën e fundit me babain e saj në funeralin e tij. Me ngjarjen që zhvillohet në një ishull të Japonisë, ku regjisori ishte lindur dhe rritur, filmi eksploroi marrëdhënien mes vdekjes së babait dhe depos së bombave në mal, prapa shtëpisë ku jetojnë.

Edhe vizualisht ishte jashtëzakonisht i veçantë të shikohej, me regjisorin që kishte përdorur një formë jo fort ortodokse të metodave animatike, ose të paktën ashtu ishte për mua që e shikoja me ato eksperienca amatore që kam me filmat e tillë.

Filmat si "Beware of Trains", "Letter to a Pig", "The Days that (Never) Were" dhe "Pachydarme", u shfaqën tutje në prezencën e një audience dinjitoze në numër.

Në fakt, një prej gjërave më interesante rreth Anibarit është se po mungojnë tollovitë e ambientet e dendura me njerëz, derisa hapësirat janë relativisht të qeta dhe transmetimet po përcillen me kulturë impresive shikuese.

Lajme të ngjashme