Rasti i Donjeta Pajazitaj, pyetje drejtuar pushtetarëve e sistemit të drejtësisë : Qysh po ju nxen gjumi natën?
Organizata CICAT e cila drejtohet nga artistja Ermira Murati, kësaj radhe ka zgjedhur një formë të re të protestës për të shprehur pakënaqësitë lidhur me rastin e Donjeta Pajazitajt.
Të enjtën që lam pas i akuzuari Naser Pajazitaj është liruar nga burgu, i njëjti ka qenë i dyshuari kryesor.
Kujtojmë se Donjeta është vrarë më 2015. Nga burgimi i përjetshëm, Gjykata e Apelit ia pati zbutur dënimin në 35 vite burgim Naser Pajazitajt – i dënuar për vrasjen e Donjeta Pajazitajt. E tash ai u la i lirë.
Por, kujt po i dedikohen këto "thirrjet e jastekut"?
Pëmres një mesazhi në jastek “Qysh po ju nxen gjumi natën”, CICAT i’u drejtohet pushtetarëve dhe përgjegjësve në sistemin e drejtësisë, “por që zgjedhin të mbyllin sytë ndaj tmerreve të femicidit”.
“Konteksti i kësaj fotografie është jashtëmase tronditës, pasi i referohet vrasjes tragjike të Donjeta Pajazitaj, i akuzuari për vrajsen e së cilës përfundimisht u lirua pa asnjë pistë të mëtejshme, pas disa vendimeve të disahershme me burgim të përjetshëm. Kjo tragjedi e pakuptimtë shërben si një kujtesë e ashpër e nevojës për ndërgjegjësim dhe veprim më të madh për të luftuar femicidin. Kjo tragjedi mbyt besimin në drejtësi! 8 vite pas vrasjes së saj, gjykata që liron të akuzuarin e vetëm, ku është dështimi?!”.
Po u kërkohet institucioneve të zgjohen nga gjumi dhe të bëjnë pjesën e tyre për të sjellur drejtësi.
Pse pikërisht me pyetjet përmes jastekut?
"Jastëku, simbol i rehatisë dhe pushimit, bëhet mjet proteste dhe rezistence", thuhet në postim.
"Duke pyetur vrasësin: si fle natën, duke ditur të vërtetën që mban me vete?
Duke pyetur pushtetarët, sistemin e drejtësisë dhe qeverinë: si fleni natën duke e ditur se e keni dështuar drejtësinë?"

