Nga Kievi në Berlin e Japoni - Si e ndryshoi pandemia mënyrën e argëtimit
Është fundi i vitit 2019, rreth orës 01:30 dhe jam në Dalston Superstore, një nga klubet më të pëlqyera në lindje të Londrës. Rreth meje, po puthen shumë njerëz, por edhe nëse nuk janë duke e bërë, trupat e tyre të djersitur janë ngjitur me njëri-tjetrin në nxehtësinë e bodrumit.
Muzika tekno përshkon kockat dhe frymëmarrja e tyre mbulon me avull pasqyrat në errësirë. Nuk e di ende, por kjo do të jetë hera e fundit që shkel në një klub nate për të paktën dy vjet. Në pak muaj do të kemi një pandemi dhe do të izolohemi. Klubet në mbarë botën do të mbyllin dyert. Përfundimisht, jeta e natës do të kthehet, e megjithatë, jo si më parë.
Periudha e izolimit mund të duket si një makth i largët, por ende po vuajmë pasojat globale lidhur me jetën e natës. Në Mbretërinë e Bashkuar, deri në fund të vitit 2022, një në tre klube nate pritet të mbyllet. Atje në Berlin, ka zëra se “Berghain”, klubi i natës më legjendar në botë, do t’i mbyllë dyert përgjithmonë. Është një trend që përsëritet kudo.
Shumë nga klubet ikonë të natës në SHBA janë mbyllur gjithashtu, duke përfshirë, për të përmendur disa, klubin e homoseksualëve “Rage” në Los Anxhelos, “China Chalet” në Nju Jork dhe klubin e tranvestitëve meshkuj “The Pyramid Club” në East Village. Epoka e artë e klubeve të natës siç e përjetonim dikur, mund të ketë përfunduar një herë e mirë.
Por argëtimi është transformuar gjithashtu në një mënyrë që nuk e prisnim kurrë të ndodhte. Jeta virtuale e natës lulëzoi gjatë izolimeve të shumta (mendoni për Queer House Party, një nga të preferuarat e Service95) dhe është normalizuar edhe më shumë, gjë që është ideale për ata që nuk mund të jenë fizikisht të pranishëm në klubet e natës.
Nga klubet e realitetit virtual si TUBE VR tek alternativat e ngjashme në internet për klubet e natës, duke përfshirë 20ft Radio e Kievit (një radiostacion në internet që funksionon si klub, i kompletuar me interpretues dhe DJ) dhe ngjarje globale të transmetuara në Twitch (një transmetim direkt i përdorur kryesisht nga lojtarët e videolojërave), – për shembull, MOGRA në Tokio, kolektivi bazë ka lulëzuar në hapësirat e lëna nga pasiguria pas pandemisë.
Argëtimi ka arritur të zhvillohet në distancë, të jetë novator dhe nuk përcaktohet prerazi nga vendndodhjet fizike. Është një moment i paparashikueshëm dhe emocionues për frekuentuesit e klubeve të natës.
Ndërkohë, mbyllja e klubeve të natës anembanë botës ka bërë që festat të organizohen në ambiente gjithnjë e në ndryshim, si p.sh. kolektivi i fshehtë i Melburnit Filter (të cilit ju duhet t’i dërgoni DM (mesazh direkt) për të ditur vendndodhjen), Gay Bombay në Mumbai dhe kolektivi i muzikës elektronike We House Sundays në Cape Town.
Coco Cole, një nga zërat më të shquar të muzikës elektronike dance në Mbretërinë e Bashkuar dhe DJ, thotë se mbylljet e klubeve kanë nxitur imagjinatën e njerëzve dhe që ata të organizojnë festat e tyre të natës.
“Promotorët dhe vendet e famshme po përpiqen ende të rikuperojnë humbjet e tyre nga pandemia, duke prenotuar artistë të mëdhenj, të sigurt për shitjen e biletave, por duke lënë pak hapësirë për ata në zhvillim e sipër”, thotë ajo.
“Kështu që mendoj se kjo është një mundësi e mirë për klubet e reja të natës, promovuesit dhe komunitetet që të krijojnë hapësirat dhe kulturën e tyre. Si gjithmonë, pushteti i takon popullit”.
Është e pamundur të parashikohet se si do të duket argëtimi në të ardhmen, por pavarësisht se çfarë na pret, njerëzit gjithmonë do të gjejnë një mënyrë për të festuar, për t’u argëtuar dhe kërcyer deri në agim, madje edhe nga dhomat e tyre të gjumit.

