Na ishte njëherë Regno D’Albania në Kosovë e Maqedoni
Col Mehmeti
Një nga librat më të mirë për shumë nga pyetjet që bëhen sot për punë shqiptarësh është ai nga Carlo Umiltà “Jugoslavia e Albania: Memorie di un diplomatico” (Milano: 1947).
Prej viteve 90 e këndej, ky libër është shpluhurosur për t’u bërë pjesë e valixhes së secilit diplomat italian që i ra shorti për të shërbyer në Tiranë, Shkup, e nga 2008-a edhe në Prishtinë.
Roma e Duçes e ngarkoi këtë diplomat me funksionin e Komisionerit të Lartë Civil për Kosovën, Dibrën e Strugën, dhe ky, më 20 maj 1941, e sipërmori një udhëtim nëpër Kosovë, pjesën shqiptare të Maqedonisë si dhe në Epir.
Gjatë misionit, atij i ra për hise për të qenë sypamës për tre kryeministra shqiptarë: Shefqet Vërlacin e dobët, Mustafa Krujën intrasigjent e nacionalist, dhe Ekrem Libohovën kaotik.
Në Kosovë, Umiltà pa që shqiptarët e mirëpritën bashkimin me Shqipnín ashtu që të bëheshin zotër të vendit e të sprapsnin rrezikun ekzistencial nga kolonët sllavë.
Edhe në Maqedoni u vu re entuziazëm bukur i madh.

Por, në Kostur, Grebenë, Janinë, Artë e Prevezë jo: shumica e popullatës atje, qoftë greke, sllave a arumune, nuk donte as të dëgjonte për Shqipní, madje u paralajmërua edhe kryengritje kundër “sundimit shqiptar”.
Edhe çamët, prej Filatit deri në Luros, nuk ishin fort entuziastë për një gjë të tillë. Çamët, pra!
Në anën tjetër, shqiptarët në Sanxhak (pjesa në Mal të Zi dhe ajo në Serbi), të nxitur edhe prej Eqrem bej Vlorës si ministër i Tokave të Lirueme, u vunë në lëvizje të madhe për t’u bashkuar me Shqipnín.
Kështu, pra, u shfaq gjendja në terren para Carl Umiltàs, i cili si monarkist që ishte sikur rivalizonte me politikën e Duçes në ato vite kur fashistë e monarkistë në Pallatin Kixhi mendonin ndryshe-ndryshe për Shqipnín.

Sidoqoftë, është e habitshme, në mos e admirueshme, aftësia reflektive e fashizmit italian vis-à-vis Shqipnís
Qysh më 1942, ata e pranuan faqe bote se ishte e pamundur të zbatoje çfarëdo modeli korporativist për një vend që ende po dergjej e përhënej në semifeudalizmin e vet osman, ndaj edhe nuk ndërmorën përpjekje për ta fashistizuar arbitrarisht tokën shqiptare.
Komunistët kurrë nuk e bënë një refleksion të tillë.
Ata e komunistizuan një vend barbar dhe krijuan prej tij një përbindësh politiko-ekonomik, pasojat njerëzore të të cilit janë të pranishme edhe sot.
Po a ishte vallë Roma e njësishme në politikën e saj shqiptare?
Jo! Gjatë gjithë kohës pati cakërrime të vazhdueshme brendaitaliane për gjithçka.
Krahu monarkist brenda administratës së shtetit, në ushtri e MPJ rivalizonte ku-e-ku me krahun fashist.
Jo të gjithë ishin të një pikëpamje.
Krahu proshqiptar përfaqësohej vetëm prej Lugotenencës, F. Jacomonit, prej gjeneral Perrinit e tek-tuk edhe prej ndonjë zyrtari në MPJ (Nënsekretariati për Çështje Shqiptare).
Kurse, monarkistët, prej mbretit Viktor e poshtë, ishin ose skeptikë ndaj çfarëdo ndërhyrje në Shqipní, ose shpesh edhe antagonizues me shqiptarët.
Le të kujtohet këtu, si shembull i rrokshëm, fakti që shumica e gjeneralëve dhe oficerëve të divizioneve Puglie e Firenze mbanin qëndrime prosllave.
Prandaj kur e ndërmori udhëtimin e vet në Shqipní, në fundmajin e 1941-s, Umiltà më tepër erdhi me ambicien për t’iu kundërvënë Pallatit Kixhi dhe politikës së Cianos.
Me sa duket italianët asokohe e bënë një keqllogaritje fatale sa i përket tokave jugore.
Ata e njësuan Epirin me atë që e quanin Tsamuria, e që sigurisht nuk janë të njëjta.
Etnografikisht, Çamëria është vetëm rripi bregdetar prej Filatit deri në Luros, me disa zgjatime në malësitë jugperëndimore të Janinës.
Përtej këtyre caqeve, koncepti krahinor i Çamërisë nuk shtrihej as në kohën e Ali pashë Tepelenës.
Nuk kishte Çamëri në viset e Pindit, as në fushëgropën e Janinës e as në dy qytetet bregdetare të Epirit si Arta e Preveza.
Shumica shqiptare deri në Luftën e Dytë Botërore u ruajt vetëm në Çamëri; në viset e epërme të Pindit mbizotëronin më tepër arumunët, kurse Kosturi e Follorina pësuan keq gjatë transferit të popullatave në vitet ’20; Janina, Arta e Preveza nuk patën shumicë shqiptare as para 1912-s.
Duket afërmendsh që popullata çame deri në vitet e Luftës së Dytë Botërore ishte e margjinalizuar e me lidhje të këputura me Shqipnín.
Madje asaj nuk i apelonte as një figurë e spikatur si ajo e Xhemil Dinos që vinte nga një familje e dikurshme bejlere, mjaft e dëgjuar në ato anë. Sipas Umiltàs, “Pas Prevezës shkova në atë zonë të territorit 50 kilometra në veri të këtij qyteti, deri në kufijtë e Shqipërisë dhe për një thellësi prej 30 kilometrash nga deti drejt zonës së brendshme që është pikërisht Çamëria, e banuar në qendra të vogla dhe fshatra shqiptare myslimane dhe greke ortodokse, këta të fundit janë një pakicë e konsiderueshme. Por edhe këtu pak vetë mendonin t’i aneksoheshin Shqipërisë; vetë myslimanët donin një trajtim më të mirë nga grekët, por nuk tregonin një entuziazëm të vërtetë të ishin brenda Shqipërisë”.