MKRS-ja "fryhet" me iniciativat e Baletit Kombëtar të Kosovës, ani pse kërkesat e tyre tash e 23 vite nuk mirren parasysh
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes një postimi në facebook ka njoftuar se trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës së shpjeti do të ofrojnë mësime të detajuara të baletit.Nga trupa e Baletit Kombëtar do të kenë mundësi të mësojnë gjeneratat e reja të moshës 14-18 vjeçare.
“Për regjistrime, drejtuesit e shkollave ose prindërit, duhet të dërgojnë informacionet bazë (emri, mbiemri, mosha, klasa dhe shkolla e nxënësve pjesëmarrës) në email-in baleti.i.kosoves@gmail.com, më së largu deri më 11 prill”, thuhet në njoftim.
Sa i përket ushtrimeve, MKRS-ja ka njoftuar se mësimet do të mbahen në sallën e ushtrimeve të “AKV Shota”, nga ora 15:00.
E drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi në një përgjigje për Nacionale tha se kjo ka qenë iniciativë e tyre për ta rikthyer siç ka qenë më herët për nxënësit e baletit.
"Së pari kjo është iniciativë e jona për t'i mbajtur orët. Ne edhe në të kaluarën kemi mbajtur orë për nxënës të baletit. Në kohën kur ka qenë bashkëpunimi me shkollën e muzikës "Prenk Jakova". Ne deri para 7-8 viteve sa ka qenë bashkëpunimi me këtë shkollë ne kemi mbajt çdo ditë nga 1 orë e gjysmë për nxënësat e baletit. Tendenca është me kthy prap këtë frymë, në mënyrë që me i afru balerinët e rinj afër trupës".
Ai theksoi se edhe trupa e baletit kanë shprehur gatishmëri absulute për t’i mësuar nga afër të rinjët që kanë interesim.
"Në mënyrë absulute po. Ne kemi inicuar këtë, sigurisht që unë kam bisedur edhe me kolegë, në fomrë kolegiale dhe vullnetare kemi shpreh gatishmërinë që t'i bëjmë disa cikle. Ky i pari do të jetë dy javorë. Pastaj tu pa duke bë. Uroj dhe shpresoj që nga shtatori, të filojmë në formë sistematike pa ndërprerje, të mbajmë mësim për nxënësit e baletit të gjeneratave të reja. Në mënyrë që këta të rinj të kenë mundësi me marrë përvoja direkt prej Balerinëve të Baletit Kombëtar të Kosovës".
Në fillim, mësimet do t'i mbajnë sallën e ushtrimeve të “AKV Shota”, por si duket më vonë do të ketë probleme, pasi që nuk ka hapësira të mjaftueshme.
"Ne do të fillojmë fillimisht me nga një orë e gjysmë klasë baleti në sallën e ushtrimeve të “AKV Shota”, aty ku baleti tash i zhvillon aktivitetet ditore. Sigurisht që e kemi këtë periudhë ku është salla më e lirë, e nuk jemi duke përgatitë projekt të ri, do ta shfrytëzojmë. Gjatë majit jemi zënë me projekt, me shfaqje premierë, nuk do të kemi mundësi për shkak se salla është e zënë. Uroj edhe shpresoj që do të bëjmë ndonjë zgjidhje në formë që të kemi mundësi që t'i mbajmë nxënësit qysh kemi bërë edhe në të kaluarën në teatër kur kemi qenë".
Sa i përket infastrukturës, Kajtazi për Nacionale tha se kanë bërë kërkesa qe 23 vite, por që deri më tani nuk është ndërmarrë asgjë. Ai na njoftoi se janë duke u munduar t’i marrin disa hapësira të hotelit “Grand”, për të operuar me aktivitetet e tyre.
"Kërkesat janë qe 23 vite në këtë drejtim. Për momentin dihet që ndërtesa e teatrit është në renovim e sipër. Ne jemi duke zhvilluar aktivitetin në sallën e ansamblit "Shota". Jemi në përpjekje për t'i marrë disa hapësira në hotel "Grand", ku do të kemi mundësi me u vendosë edhe me sallë, po edhe me pjesën e administratës. Jemi në përfundim të procesit të marrëveshjes për t'i marrë këto hapësira".
Tutje Sinan Kajtazi tha se baleti kosovar në nivelin artistik qëndron shumë mirë, por që problem të vazdhueshëm e kanë skenën, pra infrastrukturën. Duke theksuar se edhe skena ka një rol të rëndësishëm në performancën e trupës së baletit.
"Në nivelin artistik është në nivele jashtëzakonisht të kënaqshme. Nëse e marrim edhe për bazë edhe bashkëpunimet që i kemi pasur me botë si dhe performancat që shfaqen në skenë. Ne të vetmin problem vazhdojmë ta kemi infrastukturën. Kjo në formë direkte lidhet edhe me kualitetin e shfaqjeve tona. Sa herë e kam thënë se është shumë me rëndësi, përveç shfaqjes, korografisë, kostumeve e skenografisë, edhe skena e ka rolin jashtëzakonisht të rëndësishëm në një perofrmancë".