Luiz Ejlli, çka është ky? Fenomen e sensacion - Protesta dhe tatuazhe për të, Shqipëria e trazuar nga ky njeri
Gënjeu për një sëmundje që nuk e kishte, pastaj lindën dyshime të përçudshme se e kishte – Luiz Ejlli, banori që po trazon Shqipërinë nga shtëpia e “Big Brother Albania Vip”.
Një banor i një shtëpie ku supozohet të luftojnë plot banorë për çmimin prej 100 mijë eurove, e ku kualitetet apo virtytet e kërkuara për të fituar nuk janë të përcaktuara në mënyrë fikse por, besoj, fiton ai që arrin të kthejë më shumë vëmendjen nga vetja dhe ai që di ta arsyetojë veten dhe veprimet e veta më së miri, po nxit llojlloj aksionesh e reaksionesh në tokën shqiptare.
Paçi fat në këtë aventurë nëse jeni mirë i artikuluar e i arsyeshëm dhe me ankth social.
Sidoqoftë, në rrethana të papara ndonjëherë në një spektakël të tillë – pavarësisht se buja rreth tij është gjithnjë marramendëse – edicioni i sivjetën i “Big Brother Vip Albania”, ka marrë përmasa të frikshme, jo vetëm të shikueshmërisë por edhe të ngjarjeve jashtë shtëpisë që kanë shkaktuar zhvillimet brenda saj.
Fillmisht karakteri me emrin Luiz brenda shtëpisë i shprehu pëlqimin një vajze, duke fituar simpatinë e popullit falë sharmit dhe karakterit simpatik, për ta shndërruar veten në njeriun më të urryer brenda shtëpisë për shkak të sjelljeve të pahijshme, ku u përfshi edhe një që u konsiderua “gënjeshtër” e rëndë, kur tha se vuante nga kanceri i lëkurës, por që eventualisht u kuptua se nuk vuante, falë ekzaminimeve gati kontraverse nga produksioni i spetaklit.
Duke nxitur një antipati kolosale rreth vetes brenda shtëpisë dhe simpati monumentale jashtë saj, Luiz Ejlli është shndërruar në një sensacion të njëmendtë social, që tejkalon përmasat e një spektakli televiziv.
Fundja, për të u organizua ajo që “Top Chanel” e quajti “protestë për Luiz Ejllin”, e që rezultoi me mbledhjen e dhjetëra njerëzve jashtë shtëpisë së “Big Brother”, ku u hodhën fishekzjarre dhe u shpreh zëshëm mbështetja për këtë karakter kaotik.
Siç do ta shihni më poshtë, njëri madje ishte aq i pushtuar nga lidhja interpersonale me Luizin nga TV e shtëpisë, sa që nuk mundi t’i rezistonte një tatuazhi me fytyrën e personazhit në fjalë, së bashku me shkrimin “Me Luizin”.
“Për mua, Luizi përfaqëson të riun shqiptar, të talentuar dhe sakrifikuar që fëmijë, në një treg mediatik që sot promovon antivlera shoqërore”, më thotë Nertila Haxhaj, e cila mori pjesë në “protestën” e lartpërmendur.
“Ai është imazhi pozitiv i një shoqërie në depresion masiv. Luizi ka risjellë në shoqërinë shqiptare imazhin e dashurisë, thjeshtësisë dhe punës së një djali që zëvendëson famën, seksin dhe materializmin”, shton tutje Haxhaj.
Pra, mishërimi me Ejllin ka qenë përtej asaj që mund të ketë një vdektar i rëndomtë me një karakter shoubizi. Për Haxhajn dhe shumë si ajo, i njëjti përfaqëson shumë më shumë se sa thjesht mënyrën si një person ka vendosur t’i qaset një loje që do ta pasurojë me 100 mijë euro, nëse e fiton.
Sidoqoftë, jo të gjithë pajtohen me qëndrimet e Haxhajt… madje, përkundrazi, gazetari Isa Myzyraj nga “Ora News”, thotë se Luizi është personazh që promovon të kundërtën e vlerave si “simbol i gënjeshtrës”.
“Në shoqërinë tonë, ti mund të jesh supergënjeshtar, por mjafton të bësh gallatë dhe të flasësh palidhje që të të mbështesin”, më thotë Myzyraj në një lidhje virtuale komunikuese.
“Seriozisht, unë jam munduar me ditë të tëra për të gjetur një arsye bindëse se pse shqiptarët po e mbështesin atë personazh, dhe fatkeqësisht më ka rezultuar se ka zero arsye të shëndosha”.
Myzyraj tutje po më thoshte se “Luizi është fenomeni dhe modeli më i shëmtuar që i serviret shqiptarëve, e që fatkeqësisht vijojnë ta mbështesin”.
Për ta nënvizuar famën dhe sensacionin në audiencën shqipfolëse që ka shkaktuar ky personazh – ai nuk kishte fare llogari në Instagram me t’u futur, ndërsa dikush mendoi se ishte ide e mirë t’i hapte një pas të bëmave të tij brenda shtëpisë, dhe ashtu doli të jetë, me llogarinë “Luiz Ejlli” që aktualisht ka grumbulluar 249 mijë ndjekës në rrjetin social brenda një kohe të shkurtër. Kur flasim për impakt të menjëhershëm…
Ishte interesante edhe ajo çka kishte për të thënë profesori shqiptar i medies, Mehmet Kalisi, i cili krahasoi personazhin e Luizit me atë të “Winston Smith” nga novela e famshme e George Orwell, “1984”.
Duke theksuar nivelin e lart të empatisë së njerëzve ndaj Luizit, ai u shpreh:
“Luizi duket se ky e ka lexuar dhe kuptuar shumë mirë personalitetin e ‘Winston Smith’, në novelë e George Orwell ‘1984’, dhe me përpikmëri është duke luajtur rolin e tij”.
Karakteri i “Winston Smith” është mishërues me një djalosh të rëndomtë, 39-vjeçar (afërsisht sa është mosha e Ejllit), i cili konsumon duhan dhe alkool dhe kollitet fuqishëm në mëngjes, siç bën edhe personazhi shqiptar brenda shtëpisë së “Big Brother”.
Orwell u mundua ta bënte karakterin e “Winston” aq të zakonshëm, sa secili prej nesh ta shihte veten tek ai, por dikush si Myzyraj dhe banorët e tjerë brenda shtëpisë, e kanë të vështirë ta pranojnë këtë këndvështrim.
Me fjalë të tjera, Ejlli është karakteri më i dashur dhe më i urryer në të njëjtën kohë, varësisht nga pikëpamja dhe këndvështrimi, duke shndërruar qëndrimet rreth tij në bardh e zi më shumë se në gjithçka tjetër.