Kush janë 5 artistët shqiptarë që Dua Lipa i promovoi dhe pse vizita e saj në Manifesta ka rëndësi?
Vizita që këtë verë Dua Lipa i bëri Prishtinës ka vënë në pah dy gjëra: pjekurinë e jashtëzakonshme profesionale dhe artistike që ka arritur viteve të fundit, dhe faktin që statusin “Super yll botëror” e përdor për të promovuar punën e artistëve lokalë. Të dyja i dëshmoi për 3 ditë në vendlindje.
Kam përcjellë në vazhdimësi këtë vit udhëtimet e Dua Lipës nëpër vende të ndryshme në botë, teksa ka performuar mbi 85 koncerte në mbi 50 vende në glob. Ajo që Dua Lipa ka bërë gjatë këtyre udhëtimeve nuk ka qenë vetëm "performo dhe shko", por nga secili vend ajo është munduar ta eksplorojë jetën artistike aty. Të njëjtën gjë e bëri edhe në vendlindjen e saj në Prishtinë. Mes shumë takimeve që kanë qenë të parashikuara në agjendën e saj zyrtare, duke përfshirë edhe takimet e “mërzitshme” me politikanë, këtë herë Dua Lipa e vizitoi përnjëmend qytetin e saj. Kujtoni ardhjen e saj në vitin 2019, kur Dua në postimet e saj nga Prishtina publikonte “mantia dhe flija”. Një formë tradicionale se si tentohet të kujtohet një traditë ose kulturë e një vendi.
Në vitin 2022, Dua Lipa nuk është vetëm një këngëtare e cila është e lidhur me vendlindjen e saj përmes traditave. Ajo këtë herë e shijoi Prishtinën edhe jashtë SunnyHill, dhe një vizitë specifike e saj ka rëndësi të madhe: vizita në ekspozitën e Bienales nomade të Artit, “Manifesta”, që po mbahet në Prishtinë. Kjo ekspozitë ndërkombëtare që udhëton çdo dy vjet në vende të ndryshme, është njëra ndër më të njohurat në skenën e artit bashkëkohor në Evropë.
Në një vend si Kosova, ku arti bashkëkohor dhe artistët mbesin në margjina për shkak të izolimit, organizimi i një ngjarjeje artistike si Manifesta ka qenë një mundësi e madhe për artistët lokalë. Por fakti që Kosova nuk është ndonjë vend i njohur në listën e vendeve që evropianët e vizitojnë, e ka bërë pak problematike mundësinë që këta artistë lokalë të shihen nga publiku i gjerë ndërkombëtar.
Përkundër marketingut të madh medial që “Manifesta” pati në media ndërkombëtare, ardhja në Kosovë e shumë njerëzve vetëm për këtë shkak në Prishtinë nuk është aq popullore në Evropë.
Por çka ndodh kur një yll botëror me 85 milionë ndjekës vetëm në Instagram e miliona të tjerë në rrjete sociale, viziton Manifestën dhe përpos kësaj, vendos të promovojë punë të artistëve? Sidomos për artistët vendorë, që brenda një nate, puna e tyre u pa nga miliona njerëz, vizita që Dua Lipa i ka bërë ekspozitës është një shtytëse e madhe.
Kush janë 5 artistët shqiptarë që i bënë përshtypje Duas?
Elona Beqiraj dhe poezia e saj për vendlindjen, është e para fotografi në albumin e postuar nga Dua Lipa. Mund të ketë qenë edhe e rastësishme, por në një koncept kuratorial, përzgjedhja e një poezie të tillë nga një artiste që gjithashtu jeton në diasporë, mund të ketë shumë domethënie. Lidhje mes ndjenjave të Duas për Prishtinën përmes një poezie të një poeteje kosovare që nuk jeton në Kosovë. Elona është poete e cila jeton dhe punon në Berlin. Poezia është gjuha që ajo përdor për të shkruar për atë që nuk mund t’i përgjigjemi lehtësisht. Pyetjet rreth mallit dhe përkatësisë lindin në vargjet e saj, ndërsa ajo përpiqet të balancojë mes jetës në “këtu” dhe kujtimeve të “atje” – Kosova, shteti i prindërve të saj të cilin ajo e njeh prej historive dhe prej ditëve të pushimit të verës.
Poezitë e saj veprojnë si mjete për të formësuar -midisin- dhe kanë të bëjnë me një pjesë të fraktuar të identitet të saj dhe identitetit të të tjerëve që nuk është i mirëpërcaktuar që e formojnë komunitete në diasporë duke u bazuar në eksperienca dhe ndjesi. Duke kujtuar viktimat e shumta të krahut të djathtë ekstrem në Gjermani duke fuqizuar njerëzit që kanë migruar në rezistencën e tyre dhe në të drejtën për të ekzistuar.
Jakup Ferri dhe vizatimet e tij të qepura nga gratë kosovare, kanë shkuar edhe në Bienalen e Venecias si përfaqësues në Pavilionin e Kosovës, dhe i kanë rënë në sy edhe Dua Lipës. Jakup Ferri, i ndikuar nga arti i huaj dhe vernakular, ndonëse kryesisht i udhëhequr nga intuita dhe imagjinata, vizaton të gjitha llojet e krijesave tek bisedojnë, bashkëpunojnë dhe bashkekzistojnë. Bimët, kafshët, njerëzit dhe hibridet, të gjitha ndajnë të njëjtën batanije magjike pikniku, si të thuash, bëhen të afërm me njëri-tjetrin. Vizatimet e stërholluara të artistit janë vendi ku ai mendon. Ndërsa ndiqte studimet në agun e mijëvjeçarit të ri, Jakup Ferri (1981, RKS) ndjeu se qyteti i tij i lindjes, Prishtina, ishte e padukshme dhe e izoluar nga bota perëndimore e artit. Këto impresione të tëhuajzimit ndikuan në punët e tij të para, fillimisht në filmat në të cilët ai përqendroi një largësi ironike duke trajtuar çështje të identitetit kulturor, historisë dhe vendit të artistit periferik. Kjo ndjesi ka vazhduar të ngjyrojë praktikën e tij në dekadat e ardhshme.
Abi Shehu prezanton një përzgjedhje punimesh të përfunduara dhe të tjera në vijim në një situatë studioje të hapët. Edhe pse Dua nuk e bëri tag në instagram, ajo vendosi të publikojë një fotografi nga një fragment i punës së Shehut në Manifesta. Televizorët e vjetër të vogël që nuk shfaqin asgjë, por janë të vendosur pranë dritareve të mëdha brenda hapësirës së Hotel Grandit, përfunduan në profilin e yllit botëror. Puna e Shehut, është një ftesë për vizitorët dhe të ftuarit që t’i bashkohen për të menduar dhe për të folur mbi peizazhet e tranzicionit që lidhen me kujtesën, subjektivitetin dhe ekologjinë. Këto janë temat që i eksploron në instalacionet e fotografive analoge dhe të videos, e që deri tash janë përqendruar në shtresat e kohës dhe të perceptimit që ia formojnë dhe informojnë atdheun. Abi Shehu (1993, AL) është një artiste ndërdisiplinore vizuale nga Shqipëria. Puna e Abi Shehut është e ndikuar nga kërkimi i thelluar estetik. Ajo krijon portrete të njerëzimit duke hulumtuar përvoja ekzistenciale dhe thelbësore si: ritualet e vdekjes, kujtesën, amnezinë dhe të pavetëdijshmen.
Driton Selmani që në Manifesta ekspozon punën e tij artistike përmes materialeve aspak tradicionale, është artisti i katërt që i ka rënë në sy Dua Lipës. Nuk është befasi, pse puna e Selmanit ka impresionuar Duan pasi puna e tij ka një estetikë që nuk mund t’i refuzosh nëse ke pak “shije” në art. “Do të doja të ishe qese plastike që të ishe e përjetshme”. Ky epigram, i krijuar nga Driton Selmani, është nga qindrat që ia mbushin atij faqet e fletoreve. Në çastin që e transferoi në një qese plastike, ai u kthye në letër dashurie, njërin nga mesazhet e shumta për të gjithë dhe për askënd që artisti i përpilon që nga viti 2018. Ideja për këtë gamë të gjerë punimesh lindi nga të kuptuarit se dashuria gjendet po aq në listat e pazareve që jua dërgon partneri – blej katër patëllxhanë, një shishe vaj ulliri dhe diçka për ta shoqëruar çajin – sa edhe në një poezi, një letër, një tekst apo mesazh sekst. Duke mbuluar tema nga politika te ekologjia, nga arti te filozofia, letrat plastike të dashurisë funksionojnë si njëfarë ditari që të zgjatë dhjetë mijë vjet, si dokumentim i vazhdueshëm i epifanive dhe postulateve, dëshirave dhe anktheve të përditshme.
Doruntina Kastrati dhe instalacioni i saj unik në Manifesta, gjithashtu duket se ka intriguar Dua Lipën. Puna e Kastratit flet për një dilemë filozofike: “ndërsa jeta në Tokë po bëhet më e pasigurt, ka pasur shumë spekulime për zhvendosjen në Mars – aq shumë sa peizazhi i shkretë shkëmbor i Doruntina Kastratit fillimisht mund të evokojë sipërfaqen e planetit të kuq”.
Megjithatë, me hyrjen në mjedisin e saj, të populluar vetëm nga krijesa të ngjashme me dhitë që kullosin dhe një pjatë satelitore të vetme, kërcëllitja e rrënojave poshtë këmbëve dhe pamja e qytetit prej dritareve e kthejnë shikuesin përnjëherë te një version post-njerëzor i planetit tonë. Është një “ishull i braktisjes”, aspak ndryshe nga shumë pjesë të Prishtinës, Hoteli Grand duke qenë një prej tyre. Në skulpturat, instalacionet, mjediset dhe filmat e fundit, Kastrati e ka përqendruar vëmendjen dukshëm te transformimi i qytetit.







